Sot në shkollën “Ismail Qemali” në Tiranë u zhvillua një konsultim publik me nxënësit e tre gjimnazeve të Tiranës, në kuadër të Strategjisë së Re Kombëtare për Rininë.

Në funksion të hartimit të kësaj strategjie, do të zhvillohen takime të tjera me të rinjtë, që në fund të përpilohet një dokument pune dhe angazhimesh konkrete të institucioneve kombëtare e vendore, në funksion të fuqizimit të rinisë shqiptare.

Kryeministri Rama, pasi prezantoi qëllimin e strategjisë, tha se ky proces vlen shumë edhe për adresimin e çështjeve imediate apo çështje që mund të adresohen në afatmesëm.

Më pas, Kryeministri Rama tha se do të vijonin takime të tilla, pasi plani i Ministres Bora Muzhaqi është të përfshijë të gjithë nxënësit dhe të rinjtë e vendit në diskutime të tilla.

“Ju duhet të përfaqësoni edhe mendimet e bashkëmoshatarëve tuaj, pra duhet të bisedoni edhe me nxënësit e tjerë në shkollat tuaja” tha Kryeministri.

“Në disa prej pikave që u prekën më duket se janë shumë sensitive dhe shumë të domosdoshme për t’u adresuar me shpejtësi, por në disa prej tyre më vjen mirë që ne kemi vendosur objektivat tona, edhe në programin e ri të qeverisë, duke filluar nga domosdoshmëria për të transformuar krejtësisht mësimin e informatikës.

Jam plotësisht dakord me ata që shtruan faktin se edhe aty ku ka laboratore informatike, nga ana e mjeteve dhe e mësimdhënies lënë për të dëshiruar. Nga ana tjetër, është e pakuptueshme që informatika të bëhet praktike dhe të mos jepen dijet që i shoqërojnë teoritë në nivelin praktik.

Ne kemi planin për t’i rivitalizuar komplet laboratoret e informatikës, deri nga fillimi i vitit tjetër shkollor. Ne kemi bërë shumë investime për infrastrukturën shkollore dhe laboratorët, por njësoj siç ndodh me klasat e informatikës, bëhet investimi i parë, blihen kompjuterat për momentin e parë, por vazhdimësia nuk garantohet” deklaroi Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në takimin me të rinjtë.

Sa i përket çështjes së këshillimit të karrierës, Kryeministri tha se do të veprojnë për të gjetur rrugët e duhura që ta bëjnë sa më atraktiv procesin e këshillimit, në mënyrë që ky proces t’i rrisë nxënësve interesin për të eksploruar veten dhe karrierën e ardhshme.

Në mbyllje të fjalës së tij, Kryeministri tha se aktivitetet ekstrakurrikulare, edhe pse janë një aspekt i rëndësishëm i formimit të nxënësve si qytetarë, janë ende të patrajtuara siç duhet në shkollat e vendit. Kryeministri Rama mbështeti idenë e ministres Muzhaqi për zhvillimin e artit dhe zejes, por me qëllimin që të krijohet mundësia që të kenë dije e koncepte fillestare lidhur me profesionet dhe zanatet, që t’i krijojë të rinjve edhe një ide më të qartë për drejtimin që duan të marrin.