Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi zhvilloi një takim me kryetarët e bashkive nga e gjithë Shqipëria për të diskutuar rreth çështjeve dhe problematikave kryesore në lidhje me të gjitha institucionet arsimore në vend.
Fokusi i këtij bashkëbisedimi ishte thellimi i bashkëpunimit mes MAS dhe bashkive në të gjithë vendin për të bërë të mundur arsim më cilësor.
Sigurimi i infrastrukturës së përshtatshme të shkollave për fillimin e stinës së ftohtë të dimrit, diskutimi i çështjes së transportit të nxënësve dhe mësuesve, garantimi i kushteve higjieno-sanitare e atyre të ngrohjes, sensibilizimi i prindërve për transferimin e nxënësve nga klasat kolektive në shkollat qendrore më të afërta me qëllim një arsimim më cilësor, ishin ndërmjet temave kryesore.
Në lidhje me sigurimin e transportit për nxënësit, ministrja Kushi ka nënvizuar se këtë vit do të ketë një rritje të kuotës mbështetëse me 50%.
Ndërkohë, punësimi i mësuesve ndihmës dhe psikologëve edhe në arsimin parashkollor vetëm nëpërmjet portalit sipas kuadrit ligjor, bashkëpunimi i ngushtë me bashkitë për moslejimin e braktisjes së shkollës ishin tema që morën vëmendje gjatë diskutimit.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi theksoi se këtë vit u pilotua regjistrimi nëpërmjet portalit për nxënësit e klasave të para dhe të dhjeta. Vitin e ardhshëm shkollor regjistrimi pritet të të bëhet në të gjithë territorin, prandaj ka kërkuar një bashkëpunim të ngushtë me bashkitë për përcaktimin sa më të saktë të zonave të çdo institucioni arsimor ku nxënësit do të regjistrohen.
MAS dhe bashkitë janë dakorduar të vazhdojnë mbështetjen për shkollat “Qendër Komunitare”, ndërkohë që siguria në shkolla dhe bashkëpunimi me policinë, bashkëpunimi me bashkitë për ambientet sportive dhe institucionet arsimore, kthimi i shkollave speciale në qendra burimore, ishin mes çështjeve që u diskutuan në këtë takim.