Së shpejti për drejtuesit e automjeteve do të aplikohet leja e re e qarkullimit të mjetit rrugor, e cila do të kushtojë më lirë dhe nuk do të ketë afat vlefshmërie. Lajmin e bëri të ditur sot kreu i DPSHTRR, Blendi Gonxhja, i cili dha detaje mbi dokumentin e ri. “Sot paguhet 3,500 lekë për lejen aktuale, certifikatën e pronësisë dhe lejen ndërkombëtare të mjetit! Leja e re që unifikon dokumentet e mjetit në 1 do kushtojë vetëm 2,100 lekë, -40%. Leja e re nuk do ketë vula kolaudimi, pra nuk do bëhet e pavlefshme nga mungesa e vendit për vula si leja aktuale. Leja e re nuk ka afat vlefshmërie dhe përfshin të dhëna sipas kodeve të BE, datë regjistrimi për herë të parë, vit prodhimi, qiramarrës, etj”, tha Gonxhja.
Po ashtu, ai theksoi se “leja e re unifikon të dhënat dhe eliminon certifikatën e pronësisë së mjetit”. “Leja e re nuk dëmtohet nga lagështia ose palosjet, nuk griset si leja aktuale. Ajo përmban elementet e sigurisë si: watermark – logo identifikuese në brumin e letrës speciale që dallohet vetëm nëse shikohet përmes dritës; fluorescent fibres – fije fluoreshente që dallohen vetëm me rreze ultraviolet; fluorescent imprints – logo identifikuese e dallueshme vetëm me rreze ultraviolet; hologramë – stampë e shndritshme e integruar në materialin e letrës nga prodhuesi me dizajn të personalizuar”, tha ai.
Kreu i DPSHTRR-së njoftoi se “leja e re do ketë edhe QR code drejtpërdrejt nga sistemi eDPSHTRR, mikrotekst, vizatim e grafika që ndryshojnë ngjyrën në këndvështrime të ndryshme drite, etj”. “Cilësia dhe vetitë e letrës së lejes së re do të jenë speciale, e njëjtë me dokumentet e qarkullimit gjermane. Zvogëlohet në maksimum mundësia e manipulimit të të dhënave, për pasojë garantohet besueshmëria në qarkullim për çdo verifikim nga autoritetet brenda/jashtë vendit. Leja e re do jetë më e vogël, me tre pjesë, më praktike e rezistente, si edhe me çdo të dhënë të mjetit, të kodifikuar. Falë cilësisë, sigurisë dhe përputhshmërisë me Direktivën 1999/37/EC e 29 Prillit 1999 (e përditësuar, 2014), ajo eliminon nevojën për Leje Ndërkombëtare Mjeti! Qytetari lehtësohet nga kosto e angari që përsëritej çdo tre vjet”, tha Gonxhja.
Ndërkohë, ai sqaroi se “leja e re do të jepet për veprimet e reja me mjetin dhe nuk do të jetë e detyrueshme për qytetarët që kanë lejen aktuale të mjetit”.