Ministri i Shëndetësisë në Greqi, Thanos Plevris ka deklaruar se nga 9 tetori të vaksinuarit do të mund të rikthehen në normalitet, duke vepruar e kryer çdo aktivitet si para pandemisë. Kjo do të thotë që mund të qarkullojnë pa maska, të argëtohen në qendrat e natës, të kenë akses kudo, vetëm me certifikatën e vaksinimit.

Ndërkohë që për zonat e kuqe, si Greqia Veriore ku përqindja e të vaksinuarve është akoma e ulët, do të ketë paralajmërime dhe thirrje për masa mbrojtëse, por jo të detyrueshme. Sot në Greqi 10% e pacientëve që kurohen me COVID-19 në spitalet e vendit janë të vaksinuar, ndërsa në Greqinë Veriore shifrat e të infektuarve kanë transformuar shumicën e qyteteve në zona të kuqe me mini lockdown.

Qeveria greke është shprehur se vaksinimi është rruga e vetme drejt lirisë së plotë dhe se tashmë ofrohet masivisht falas, kështu që shoqëria greke ka çdo mundësi të rifunksionojë normalisht shumë shpejt.