Maratona e Tiranës ka ngjallur interesin e sportistëve anembanë botës. Atletë nga të paktën 20 shtete të huaja janë regjistruar deri tani në kanalet zyrtare të hapura online nga Bashkia e Tiranës për të gjithë ata që duan të bëhen pjesë e këtij eventi që edhe për shkak të hapjes pas pandemisë e ka kthyer kryeqytetin shqiptar në një destinacion, jo vetëm kulturor e turistik, por tanimë edhe sportiv. Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj gjatë një prononcimi live në edicionin e lajmeve të “Top Channel” ka zbuluar mes të tjerash edhe faktin se, si asnjëherë më parë në edicionet e kaluara të maratonës, interesi në Tiranë rritet edhe si rezultat i certifikimit për një garë të plotë prej 42 kilometrash çka e fut Shqipërinë më në fund në kalendarin global të maratonave.
“Kemi mbi 20 shtete. Mesa duket ata që merren me sport dhe me aktivitete i gjëmojnë evente të tilla dhe mezi kanë pritur maratonat e para që po hapen. U hap Berlini, u hap Vjena, u hap dhe Tirana! Kështu që, shumë prej atletëve mezi presin cilat janë qytetet e para që marrin kurajën. Por unë besoj që maratona e vërtetë është imazhi i qytetit, ndaj dhe do u lutem gjithë qytetarëve, – do ta bëjmë një ditë pa makina si ato ditët e pandemisë ku qyteti merr frymë, ku dalim me karrocë apo me biçikleta, – mos pengojmë itinerarin sepse certifikimi për çdo vit varet nga sa mirë shkon. Të tregojmë qytetari! Nuk ka gjë që s’pret për më tepër të dielën, kështu që, sidomos atletëve të huaj t’u ofrojmë respekt. Është mirë edhe për ekonominë e qytetit, pasi është rezervuar thuajse çdo hotel, pra sjell ekonomi, sjell shpenzime dhe e vendos qytetin në hartën e qyteteve që bëjnë gjëra të bukura,” tha Veliaj.
Duke iu referuar çmimeve të cilat janë të gjitha kontribut i sponsorëve, kryebashkiaku cilësoi se është ndjekur e njëjta praktikë, si ajo e maratonave të certifikuara.
“Më në fund ia arritëm kësaj dite. Shkuam nga organizmi amator tek një organizim profesionist. Për herë të parë Federata Europiane lejon Tiranën të futet tani në kalendarin e gjithë maratonave të Europës. Do të jetë garë e plotë, por sigurisht nuk do mungojnë edhe opsionet gjysmë, ose çerek maratone. Kemi premion nga sponsorët, nuk kemi prekur buxhetin e Bashkisë për këtë: 5 mijë euro për vendin e parë, 3 mijë euro për vendin e dytë dhe 2 mijë euro për të tretin, si për burrat dhe për gratë, pra të dyja kategoritë,” deklaroi kreu i Bashkisë.
Maratona e Tiranës 2021 vjen këtë vit me edicionin e saj të 5-të. Gara do të mbahet me datë 17 tetor dhe do të ketë 4 kategori: Marathon(42.195) Half Marathon (21, 0975 km), Tirana 10K dhe “We too”, kategori kjo që ka për qëllim të jetë më shumë motivuese se sa kompetitive. Nuk do të mungojë as gara “Fun Run”, e cila do të zhvillohet një ditë para garës së madhe me datë 16 tetor 2021 me të rinjtë e shkollave te mesme të Tiranës.