Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha i uroi sot studentëve suksese në vitin e ri akademik 2021-2022, ndërsa i bëri apel të respektojnë masat antikovid dhe të drejtohen në qendrat e vaksinimit për të kryer vaksinën.

“Pas shumë vështirësive të shkaktuar nga virusi COVID-19 ne po kthehemi në auditore për të vijuar mësim normalisht,një vendim i vështirë por i duhur me bindjen e plotë se ju do të tregoni përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë maksimale për të vazhduar procesin e vaksinimit dhe zbatimin e masave të tjera mbrojtës ndaj virusit”, – tha Hoxha.

Rektori Hoxha u shpreh se në emër të stafit, por edhe në cilësinë e Kryetarit të Konferencës së Rektorëve dua t’ju uroj fillimin e vitit akademik, në veçanti uroj të gjithë ata djem e vajza që i janë bashkuar për herë të parë Universitetit të Tiranës. Ju siguroj se keni bërë zgjedhjen e duhur për të hedhur themelet e jetës suaj, pasi ky universitet është institucioni më i madh dhe më i rëndësishëm i arsimit të lartë në vend”.

Mbarëvajtja e këtij viti akademik, shtoi Hoxha, varet nga sjellja jonë në raport me masat mbrojtëse.

Duke i bërë apel studentëve të jenë të kujdesshëm për të respektuar masat, tha se “përpara jetës asgjë nuk ka më shumë rëndësi. Duke shprehur bindjen se të gjithë do të tregojmë pjekuri dhe korrektesë ju uroj suksese dhe ju bëj thirrje t’ju drejtoheni qendrave të vaksinimit që janë të ngritura në çdo njësi kryesore të Universitetit të Tiranës. Bashkë do ia dalim”.