Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, priti sot në takim Ambasadorin e Bullgarisë, Momtchil Raytchevski.

Ambasadori Raytchevski e uroi Nikollën për zgjedhjen në detyrën e Kryetares së Kuvendit dhe e garantoi për vullnetin e Bullgarisë për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh, fuqizimin e bashkëpunimit parlamentar si edhe dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe vendeve të rajonit.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, nënvizoi se “Marrëdhëniet e Shqipërisë me Bullgarinë janë shkëlqyera, janë zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme, për të mirën e përbashkët dhe në interes të perspektivës evropiane të rajonit. Ne jemi mirënjohës për solidaritetin dhe kontributin e Bullgarisë për përballimin e pasojave të tërmetit të 26 nëntorit si edhe të situatës së krijuar prej pandemisë së Covid-19. Ne jemi aleatë në NATO dhe Bullgaria është një mbështetëse e vendosur, e zëshme, e qëndrueshme dhe parimore e integrimit evropian të Shqipërisë. Shqipëria beson se mbështetja e ndihma e Bullgarisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen, duke filluar me Konferencën e parë Ndërqeveritare me Shqipërinë dhe përshpejtimin e ritmeve të integrimit të të gjithë vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor”.