Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, bëri thirrje për forcimin e sistemit global shëndetësor për të luftuar më efektivisht kundër epidemive që mund të shfaqen pas COVID-19.
“Asnjë institucion ose vend nuk mund ta bëjë i vetëm këtë. Për këtë arsye ne përdorim termin ‘mendje e përbashkët’, në mënyrë që të kuptohet qëllimi i objektivit tonë”, tha Ghebreyesus.
“Rrjeti i OBSH-së do të mbledhë shkencëtarë, shpikës, politikanë, ekspertë të shëndetësisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile në mbarë botën. Mendimet e paraqitura nga ekspertët e fushave të ndryshme do të shpejtojnë aktivitetet diagnostikuese kundër pandemive”.
“Vendet dhe shoqëritë me rrjedhën e informacionit të saktë mund të parandalojnë rreziqet shëndetësore në rritje dhe mund të shpëtojnë jetë”, tha Ghebreyesus.
“Rrezikun epidemik e nxisin edhe zhvillime të tilla, si urbanizimi, pakësimi i pyjeve dhe ndryshimi i klimës”, shtoi ai.
Kreu i OBSH-së theksoi se teknologjitë e reja ofrojnë mundësi që pandemitë të parashikohen, të diagnostikohen dhe të parandalohen më herët.
Sipas tij, shpëtimi i jetës duke përfituar nga fuqia e teknologjive të reja nuk është një mundësi, por domosdoshmëri.