Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se puna e një grupi të ri hulumtues mund të jetë mundësia e fundit për të gjetur origjinën e COVID-19. OBSH-ja ka emëruar 26 ekspertë që do t’i bashkohen Grupit Këshillimor Shkencor mbi Origjinat e Patogjenëve të Ri (Sago). Pyetja se si u shfaq koronavirusi i ri ende mbetet pa përgjigje edhe më shumë se një vit e gjysmë që kur rastet e para u paraqitën në qytetin kinez të Vuhanit. Ekipi do të hulumtojë nëse virusi u bartë nga kafshët te njerëzit në tregjet Vuhanit apo nëse ai u përhap nga një aksident laboratorik.
Kina e ka hedhur poshtë fuqishëm teorinë e dytë. Në shkurt, një ekip i OBSH -së i ngarkuar me hetimin e origjinës së COVID-19 shkoi në Kinë dhe arriti në përfundimin se virusi ndoshta kishte ardhur nga lakuriqët e natës, por se duhej më shumë hulumtime për ta vërtetuar këtë. Drejtori i përgjithshëm i OBSH -së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, më vonë tha se mungesa e të dhënave dhe transparenca nga Kina kishte penguar hetimin.
Pjesë e grupit të ri hulumtues janë edhe gjashtë ekspertët që vizituan Kinën si pjesë e ekipit të mëparshëm. Përveç koronavirusit, grupi Sago gjithashtu do të hulumtojë origjinën e patogjenëve të tjerë me rrezik të lartë. “Njohuritë për origjinën e patogjenëve të rinj janë thelbësore për parandalimin e shpërthimeve të së ardhmes”, tha Ghebreyesus.
Në një editorial të përbashkët në revistën Science, shefi i OBSH-së dhe zyrtarë të tjerë thanë “aksidenti laboratorik nuk mund të përjashtohet”. Michael Ryan, drejtori i urgjencave të OBSH -së, tha se puna e Sago-s mund të jetë “mundësia e fundit për të kuptuar origjinën e COVID-19”.