Veprimtaria ekonomiko-tregtare e Portit të Durrësit në 9 mujorin janar-shtator 2021, ka njohur rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve paraardhëse, janar-shtator 2019/2020.

Sipas të dhënave paraprake, performanca financiare 9 mujore 2021 në Portin e Durrësit, konfirmon indikatorët e rritjes ekonomike në vend. Referuar raportit zyrtar të Autoritetit Portual Durrës, aktiviteti përpunues në terminalet portuale është rritur jo vetëm krahasuar me vitin 2020, kur ishin prezente masat kufizuese anti-Covid, por edhe me të njëjtën periudhë të vitit 2019-të.

Konkretisht kemi rritje të volumeve të mallrave të përpunuara në total në 9 muaj të vitit 2021 me +18,67% ne krahasim me 2020 – nga të cilat 9,4 pikë përqindjeje i përkasin rritjes së përpunimit të konteinerëve – dhe +7,55 % në krahasim me 2019, duke kapur vlerën e 3,355,975 tonë mallra të përpunuara në periudhën janar-shtator 2021.

Ndërkohë, ky 9 mujor ka shënuar një rritje të të ardhurave me +24,67% ose 422,335,706 lekë më shumë se në 9 muajt e parë të vitit 2020, dhe 47,7% ne krahasim me vitin 2019.

Nisur nga ky fakt, Divizioni i Financës së Portit bën më dije se fitimi operativ është rritur përgjatë këtyre 9 muajve me rreth 66,966,570 lekë, 16.6 % më shumë krahasuar me vitin paraardhës.

Ndërkohë, rritja e fitimit neto ka arritur vlerën 61,175,802 lekë ose 18,71% më shumë se në 2020 dhe 20,85% më shumë se në 2019.

Mirëmenaxhimi i të ardhurave, mirëadministrimi i shërbimeve, likuiditeteve, janë disa prej faktorëve që kanë ndikuar në këtë performancë financiare. Më konkretisht Divizioni i Financës pranë APD-së sqaron se,

· Mirëadministrimi i shërbimeve në Terminalin e Konteinerëve, ka qënë një ndër faktorët kryesorë të cilët kanë kontribuar në rritjen e të ardhurave.
· Mirëmenaxhimi i likuiditeteve ndërthurur dhe me menaxhimin rigoroz të debitorëve ka siguruar një rritje të arkëtimeve nga debitorët me 150 % në raport me vitin 2020.

· Faturimet për furnizimin me energji dhe ujë të subjekteve të cilët operojnë në territorin e APD-së, si dhe ulja e shpenzimeve për këto dy zëra kanë sjellë si pasojë një rënie të nivelit të humbjeve me vlerë -31.72% në shkallë krahasimore me vitin paraardhës.

· Një faktor tjetër në rritjen e përgjithshme të të ardhurave ka qënë edhe mirëmenaxhimi i të ardhurave me shpenzimet në lekë dhe valutë.