Kryeministri Edi Rama është pyetur në lidhje me vendimin e Komisionit të Venecias, se Gjykata Kushtetuese shqiptare nuk ka kompetencën të shqyrtojë vlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

I pyetur se se çdo ndodhë me kryetarët pa bashki Rama tha se me këtë çështje nuk merret qeveria por nënvizoi se duhet të ishin bërë me kohë.

Pyetja: Komisioni i Venecias ju dha të drejtë, kur do bëhen zgjedhjet për bashkitë pa kryetarë?

Rama: Për këtë nuk mund të më pyesni mua por ato që e kanë në dorë këtë punë, nuk mund të më pyesni mua, duhet të ishin bërë me kohë këto procese, nuk e di.

Në draftin paraprak të siguruar nga mediat, Venecia thotë se Gjykata Kushtetuese nuk ka tagër që të shqyrtojë vlefshmërinë e zgjedhjeve, e megjithatë kjo nuk e pengon atë që të ushtrojë kontrollin e saj mbi legjislacionin zgjedhor.

Nga ana tjetër në draft opinionin e Venecias thuhet mes të tjerave se bojkoti nuk mund të cenojë periodicitetin e zgjedhjeve, duke lënë të kuptohet se ato mund të mbahen edhe pa praninë e opozitës.