Përurohet shkolla 9-vjeçare “Mervete Peza” në Pezë Helmës, Veliaj: “Nuk bëmë pallat, por sollëm një stoli me të njëjtën cilësi si çdo shkollë në Tiranë”

250 fëmijë të ciklit 9-vjeçar në Pezë Helmës, të cilët e humbën shkollën e tyre nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019, e kanë nisur vitin e ri shkollor në mjedise tërësisht të reja dhe moderne, falë donacionit të shtetit sllovak, që iu përgjigj pozitivisht thirrjes së Programit të Rindërtimit të Qeverisë shqiptare. Shkolla, e cila një vit më parë u përdor edhe politikisht për fushatë nga PD-ja, u përurua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, zv/kryeministri dhe ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, si dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi. Shkolla mban emrin e një gruaje, Mervete Pezës, pjesë e historisë së jashtëzakonshme të luftës së kësaj zone.

“Gjithmonë kam dashur që me emrat e shkollave të reja të evokoj historinë tonë, të tregojmë se në këtë vend nuk kanë luftuar vetëm burrat, por edhe gratë; nuk kanë punuar vetëm burrat, por edhe gratë; nuk kanë dhënë mësim vetëm burrat, por sidomos gratë,” u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

Ai tha se ndihet i lumtur që nga rrënojat e tërmetit sot ka lindur edhe më e fortë dhe më e madhe shkolla e re, e njëjtë në standarde me ato që janë ndërtuar kudo në Tiranë. “U rrethuam me gërmadha për muaj të tërë, teksa morëm veten në atë rimëkëmbje të parë, por sot po rrethohemi me stoli, me bukuri, po rrethohemi me një infrastrukturë moderne. Sot, kjo është një ndër shkollat e bekuara në një zonë rurale të Tiranës, në këtë park të dhuruar nga Zoti e natyra me kaq shumë gjelbërim. Është e njëjta cilësi si në qendër të Tiranës,” deklaroi Veliaj.

Kreu i Bashkisë ka risjellë në vëmendje edhe faktin se si shkolla dhe nxënësit e saj u keqpërdorën nga politika për interesa të saj. “Si mund të dalë një parti e të thotë “aty nuk do bëhet shkollë, por do bëhet pallat”? Një hapje paniku e jashtëzakonshme. Nuk e bënë vetëm këtu, por e bënë edhe në Tiranë, te “Sami Frashëri”. Si mund të bëhet politikë me çdo gjë?”, u shpreh Veliaj.

Zv/kryeministri Arben Ahmetaj tha se, nga Programi i Rindërtimit, në të gjithë vendin po ngrihen 167 shkolla. “Po ndërtojmë 167 shkolla dhe vetëm në këtë territor përfitojnë 25 mijë fëmijë, që do të mësojnë në shkolla të reja më të bukura, më të forta, më të mira. Rindërtimi po ecën me shpejtësi, jo thjesht tek shkollat dhe infrastruktura, por edhe në shtëpitë individuale e në pallate, ku do strehohen 12 mijë familje,” deklaroi Ahmetaj.

Ministrja Kushi u shpreh: “Ashtu siç ndjej kënaqësi, ndjej edhe përgjegjësi të madhe që si kjo shkollë ne duhet të ndërtojmë edhe shumë të tjera jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë pasi të gjithë nxënësit tanë meritojnë më të mirën. Sot kemi rreth 90% e mësuesve të vaksinuar pjesa më e madhe me dy doza. Nisur nga mbarëvajtja e vaksinimit, ne iu rikthyem mësimit normal, por kemi detyrim të zbatojmë me përpikëri të gjitha protokollet që ekspertët e shëndetësisë kanë miratuar, në mënyrë që të mos kthehemi tek mësimi me turne dhe oraret e reduktuara”.