Ish-kryeministri Sali Berisha, në mbledhjen e radhës të zhvilluar në qytetin e Elbasanit, në atë që ai e quan “Foltorja”, për një Parti Demokratike më të bashkuar, akuzoi qeverinë aktuale për korrupsion dhe për shkaktarin që të rinjtë po largohen nga vendi.
Ai tha se rritja e çmimeve, ulja e pagës minimale janë arsyet kryesore të emigrimeve. Sa i takon kryetarit aktual të PD, Luzlim Bashës, ai tha se duhet largohet nga drejtimi, pasi humbi në zgjedhje.
Berisha kishte një kërkesë të qartë për delegatët, duke i kërkuar që të firmosin për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar dhe të vendosin me votë për vendimin e dhënë ndaj tij, për pezullimin nga grupi parlamentar.
“Ju i rezervoni kësaj foltoreje që në një kohë të shkurtër, demokratët dhe demokratet e Shqipërisë e shquan në dritë shprese, për PD, për shoqërinë dhe kombin shqiptar. Vij sot, më i motivuar se kurrë. Për t’i dëshmuar shqiptarëve se ne jo vetëm jemi, njerëzit, qytetarët, demokratë dhe demokrate të idealeve fisnike, njerëzore dhe kombëtare, por jemi sot në këmbë më të vendosur se kurrë në mbrojtjen e tyre dhe vendosjen e tyre në piedestalin që meritojnë. Sot është një thirrje e brendshme e ndërgjegjes së çdo demokrati.
Edi Rama dhe regjimi i tij ka katandisur Shqipërinë dhe shqiptarët ne delen e zezë të Ballkanit dhe Evropës, në një vend pa shpresë, nga i cili të rinjtë ikin, ikin dhe vetëm ikin. Shqiptarët nisën një rrugë zhvillimi, po ku janë sot shqiptarët pas 8 viteve? Janë 30% më ulët seç ishin në vitin 2013. Nëse ne në atë vit kishim rrogat më të larta në rajon, sot kemi më të ulëtat. Ku jemi sot pas tetë vitesh?
Jemi në vendin që janë investuar nga borxhet dhe taksat tuaja, mbi 5 mld euro. Por çfarë janë ndërtuar? 34 km autostradë të lëna në mes në vitin 2013. Ku shkuan këto? Këto shkuan në xhepat e qeveritarëve dhe oligarkëve të qeverisë. Çfarë ndodhi me ne këtë tetë vite? Rreth 3 vite më parë një nga organet më prestigjioze të Evropës, bëri një klasifikim të habitshëm. Klasifikon liderat e Evropës sipas rëndësisë, e më të pa rëndësishmin vlerësonte Edi Ramën. Po pse? Është Shqipëria më e pa rëndësishmja? Jo, s’është.
Ne kemi një pozicion strategjik, sepse na kanë lakmuar ndër shekuj, për shkak të pozicionit shumë të rëndësishëm që kemi. Njeriu që sillet si ordiner. Diskutohet se vendet e Ballkanit Perëndimor të mos i përfshijnë në integrim, t’i japin fonde e aq. Kur bëhesh kampion në Evropë për kërkesat e azilit politik. Kur kthehesh në qendër kriminaliteti, kush do të bëj me ty? A e dini që kjo situatë dëmton Kosovën për të hapur vizat. Padyshim, e them me bindje. Këtu na ka katandisur Rama.
Megjithatë ai kalon nga mandati në mandat. Ky njeri që nuk meriton të qeverisë një orë merr mandatin e tretë, sepse opozita kalon nga humbja në humbje. Kreu i opozitës nuk përmban rregullin fillestar, kur humb të japësh dorëheqjen. Basha kalon nga humbja në humbje dhe nuk kujton që duhet t’i hapë rrugën të tjerëve për të shkuar në fitore. Humbëm zgjedhjet, dhe Basha shpalli masakrën në vend që të mbronte votën tuaj, ta denonconte me dosje dhe dokumente, por ai u mor me karrigen e tij. Në vitin 2021, diferenca mjerisht, midis demokratëve dhe PS është në favor të PS, më e madhe seç ishte diferenca në vitin 1997. Në 97’ ishte diferenca 90 e ca mijë vota, tani ka shkuar në mbi 100 mijë. Megjithatë ai injoroi batërdinë zgjedhore dhe u mor me zgjedhjen e tij.
Në këto kushte, janë demokratët që jemi para një misioni të ri, ky mision është shpëtimi i pluralizmit. Nuk ekziston pluralizmi nëse ne nuk ngrihemi fuqishëm për të hedhur këtë regjim, më i keqi që kanë pasur shqiptarët që nga koha e Enver Hoxhës e deri më sot. Cfarë synojmë ne me këtë foltore? Para së gjithash ne synojmë të rivendosim sovranitetin tonë. Sovraniteti nuk është robëri, por sovraniteti është që ne si njerëz të qytetëruar të mbrojmë lirshëm detyrimet, idealet, idetë që kemi, të vendosim, të votojmë të lirë për këto, e jo pse thotë kryetari.
Sovraniteti do të thotë të ecësh me dinjitet. Sovraniteti dhe dinjiteti janë jetik për të mos qenë një forcë fasadë, por për të qenë një forcë e vërtetë për të ardhur në pushtet. Ne jemi për të ringrtur edhe njëherë Partinë Demokratike, ashtu siç e themeluam. Ku e gjejmë ne forcën për një PD të fuqishme, të bashkuar. E gjejmë para se gjithash te vota e lirë. Cilido që është në këtë sallë, ju garantoj që kurrë para vitit 2013, probleme në zgjedhjet e brendshme të PD s’ka pasur. Sepse ka pasur votim të hapur. Partia është rrudhur në një mënyrë të pamerituar. Kam një kërkesë për delegatët, që të firmosin për mbledhjen e kuvendit të Partisë Demokratike. Mund ta quani edhe Kuvendin e rithemelimit të PD. Ata që përzunë votën e lirë nga PD, i bënë asaj, një dëmtim të jashtëzakonshëm. Ne do të rikthejmë votën. Me votën tuaj të lirë, ju do përcaktoni drejtuesit e degëve, deputetët dhe renditjen e tyre. Do përcaktoni qeveritarët vendorë dhe këshilltarët e tuaj.
Po çfarë bën kryetari që vendos në statut, që kryetari i Elbasanit do i miratojë kryetari i partisë. Ne do ju japim ju të gjitha kompetencat që meritoni”, tha Berisha.