Babai i reperit Kushtrim Ademi i njohur ndryshe edhe si Capital T është dhunuar sot nga persona të maskuar. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ai përmes një deklarate, duke theksuar se nuk ka pësuar lëndime serioze. Sakaq, Ademi ka treguar se policia e Kosovës tashmë është duke kryer hetimet, që personat të arrestohen dhe dënohen. Kujtojmë që babai i reperit është në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe ndoshta ky sulm mund të lidhet me postin që ai mban.
Deklarata e plotë e presidentit Ademi: Duke pasur parasysh interesimin e madh të dashamirëve dhe të opinionit publik pas raportimit për sulm fizik ndaj meje, fillimisht dua të ju informoj se jam mirë me shëndet dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë lëndim siç është raportuar. Është e vërtetë që sot rreth orës 8:00 jam sulmuar fizikisht nga persona të maskuar në parkun e Gërmisë, aty ku çdo ditë e praktikoj ecjen dhe vrapimin në natyrë.
Personat në fjalë më sulmuan në mënyrë tinzare, por që fatmirësisht kalova pa lëndime serioze. Lidhur me këtë rast është informuar edhe Policia e Kosovës, e cila tashmë është duke i kryer hetimet. Shpresoj dhe besoj se shumë shpejt personat e tillë do të dalin para organeve të drejtësisë dhe do të marrin dënimin e merituar. Përkundër sfidave në punë, por edhe pengesave të këtij lloji, do të vazhdoj me tërë energjinë time t’i shërbej futbollit dhe ngritjes së mëtejme të FFK-së.
Vazhdojmë me krenari e përgjegjësi! Me respekt, Agim Ademi, president.