Nënkryetari i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, Taulant Balla deklaroi sot se “pas progresraportit të Komisionit Europian, tani është radha e Bashkimit Europian të mbajë fjalën për procesin e anëtarësimit të vendit tonë”. “Ashtu si edhe në raportin e vitit 2020, Komisioni shprehet qartë për përmbushjen e të gjithë kushteve dhe për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Shqipërinë brenda Krishtlindjes dhe i takon BE-së të mbajë fjalën”, tha Balla në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian. Ajo që ndryshon nga raporti i 2020, sipas tij, “është konteksti në të cilën Shqipërisë i është dashur të ecë përpara me reformat e thella të kërkuara nga KE”.
“Nuk duhet të harrojmë në asnjë moment sfidën e pandemisë së COVID-19, pasojat e së cilës vazhdojmë t’i vuajmë. Pavarësisht kësaj rezultatet besoj janë të dukshme dhe vullneti i kësaj mazhorance mbetet i palëkundur vis a vis procesit të integrimit, për një fakt të thjeshtë, sepse nuk jemi ne apo opozita, por janë qytetarët shqiptarë në një shumicë në mbështetje të këtij procesi”, tha Balla. Balla theksoi se “një dëshmi e kësaj vendosmërie është edhe vullneti i mazhorancës për të vijuar me progresin në fushën e sundimit të ligjit”. Në këtë drejtim, Balla tha se “mazhoranca do vazhdojë ta mbështesë vendimin e ekspertëve për të zgjatur afatet e organeve të Vetingut dhe për këtë çështje ne mbetemi plotësisht të hapur për të bashkëpunuar me opozitën në Kuvend”. Ai tha se “ky raport vjen natyrshëm edhe pas zgjedhjeve të 25 prillit, të cilat ishin të lira dhe me standarde demokratike”.
“Prej anëtarësimit të suksesshëm të Kroacisë në 2013 përpos vlerësimeve teknike të Komisionit, sikurse parashihet nga dokumentet themelore të funksionalitetit të institucioneve brenda BE është shtuar dhe një vlerësim subjektiv i hartuar në disa kryeqytete të BE-së që unë do t’i quaja si interesa politike apo kalkulime elektorale të momentit. Kjo sigurisht nuk është një çështje që mund ta zgjidhim ne në Shqipëri, apo ne në Ballkanin Perëndimor, por kërkon një adresim në qendër të vendimmarrjes së BE-së. Shqetësimi për vendet tona sigurisht është humbja e momentumit të politikës së suksesshme të zgjerimit, e cila mund të ngadalësojë efektin transformues, pasi Komisioni mund të mos jetë më e vetmja busull orientimi. Ndaj rikthimi në shinat e vlerësimit teknik të Komisionit mbetet rrugëzgjidhja më e mirë për rivitalizimin e procesit të zgjerimit”, shtoi ai.
Balla falënderoi të gjithë grupet politike në PE, në mënyrë të veçantë atë të Partive Popullore Europiane, grupin socialist dhe demokrat dhe të Gjelbrit, të cilët janë më vokalët kur bie fjala për mbështetjen ndaj të ardhmes europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai theksoi se “edhe pse në raport qartazi evidentohen rezultatet pozitive në reformat e ndërmarra, ajo që mbetet sfidë është konsolidimi i progresit të arritur”. “Ndaj miratimi i kornizës negociuese nga vendet anëtare të BE-së dhe mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare brenda Krishtlindjes, unë besoj se do të ishin shtysa e domosdoshme në këtë moment”, shtoi ai.