Kosova mbetet pa trajner, pasi sot e ka shkarkuar Bernard Challandes. FFK, nisur nga rezultatet aspak të mira në këtë fushatë kualifikuese për “Katar 2022”, ka vendosur t’i ndajë rrugët me zviceranin. Diçka që e ka hidhëruar këtë të fundit, i cili shpresonte të vazhdonte edhe për edicionin e ri të Ligës së Kombeve.
Kujtojmë se Kosova mbyll renditjen e grupit B kualifikues për momentin, me 4 pikë, aq sa ka edhe Gjeorgjia, që triumfoi mbrëmë në Prishtinë. Në 7 ndeshje të kësaj fushate eliminatore, “Dardanët” kanë 1 fitore, 1 barazim dhe 5 humbje, me golaverazhin negativ 14-10.
Në konferencën për shtyp të lamtumirës, që mbajti sot në Prishtinë, trajneri helvet u shpreh: “Kishim synim në fillim të ndërtonim një ekip të vërtetë dhe të mirë. Isha i lumtur me këtë punë dhe gjithashtu krenar me atë që kemi bërë. Kam pasur kënaqësinë të punoj me këtë ekip dhe për këtë arsye jam i mërzitur që po largohem. Si trajner kam kaluar një kohë shumë të mirë dhe i falënderoj të gjithë për bashkëpunimin, duke filluar nga federata, lojtarët dhe stafi përcjellës.
E kuptoj se na duhet rezultatet, por nuk e pranoj se duhen patjetër ato, sidomos në këtë grup kualifikues tejet të fortë ku na hodhi shorti. E di që trajneri duhet të ketë rezultate dhe presioni i gjithë shtetit nuk ka qenë i lehtë për federatën. Ndoshta për ju ishin të rëndësishme rezultatet, por për mua ishte primare krijimi i ekipit. Mendoj se kemi luajtur futboll të mirë”.