Shqipëria do të përballet sonte me Poloninë, një finale për të tentuar të shkojë në “Play-off” të kualifikueseve për Botërorin 2022.

Kuqezinjtë do të kenë mbështetjen e 22 mijë tifozëve në “Air Albania” dhe të gjithë po e presin orën 20:45 për të parë një nga ndeshjet më të rëndësishme të kombëtares ndër vite.

Trajneri Reja është dashur të përballet me probleme të ndryshme gjatë kësaj periudhe dhe sonte për shkak të dëmtimeve nuk mund të llogarisë pjesë të ekipit Abrashin, Balajn dhe Gjimshitin, kurse Çekiçi është i pezulluar me kartonë të verdhë.

Për të mos mjaftuar këto, Hoxhallari e Cikalleshi janë prekur me COVID-19. Italiani gjithsesi nuk është ankuar dhe ka planifikuar edhe formacionin që do të zbresë në fushë mbrëmjen e sotme.

Frederic Veseli pritet të plotësojë repartin e prapavijës, ndërsa Bajrami do të marrë vendin e lënë bosh nga Çekiçi në mesfushë. Në sulm parashikohet ndryshim rrënjësor, me Manajn dhe Brojën që janë favoritë dhe Uzunin që do të presë shansin e tij nga stoli.

SHQIPËRIA (3-5-2): Berisha – Ismajli, Kumbulla, Veseli – Hysaj, Bare, Gjasula, Bajrami, Trashi – Manaj, Broja