Në fshatrat e Shqipërisë ka ende shumë gra që tokën ku janë lindur e rritur nuk e ndërrojnë me asnjë banesë në qytet. Report Tv ka udhëtuar në dy fshatra, në Hocisht të Bashkisë Devoll dhe në Baldushk, fshati pranë kryeqytetit.
Ato tregojnë se si është rutina e tyre e përditshme, nga zgjimi në mëngjes në orën 05:00 e deri sa bien të flenë. Në këto fshatra nuk i kushtojnë rëndësi se si do ta kalojnë kohën e lirë e as nëse duhet të frekuentojnë lokalet apo qendrat estetike. Për zonjat e shtëpive të fshatit, detyrat ndaj familjes janë punët e shtëpisë, gatimet, punimi i tokës, kujdesi ndaj bagëtive dhe prodhimeve bujqësore. Lodhja fizike është pjesë e pandashme e këtyre punëve, por e pallogaritshme nëse do të detyroheshin të zgjidhnin midis ajrit të pastër në fshat dhe qytetit të zhurmshëm ku nuk duan as të kalojnë pragun e shtëpisë.
Pavarësisht të gjitha problemeve që ka fshati, për to jeta është bukur kur kanë të gjithë familjen përreth.