Bashkëpunimi Shqipëri-Kosovës do të thellohet në të gjitha fushat dhe Shqipëria ka qenë dhe do të vijojë të jetë avokatja me e fortë për Kosovën tek ndërkombëtarët. Këtë theksuan të dy ministret e Jashtme, ajo e Shqipërisë Olta Xhaçka dhe ajo e Kosovës, Donika Gërvalla, e cila ndodhet për një vizitë një ditore në Tiranë.

Dy ministret ranë dakord që Shqipëria dhe Kosova të ngrenë një Sekretariat të përbashkët, që do të shërbej për realizimin e marrëveshjeve që janë firmos deri më sot dhe do të bëhen në të ardhmen. Gjithashtu Shqipëria dhe Kosova do të kenë pika të përbashkëta diplomatike në disa zona si Afrika dhe Azia, ndërsa do të ketë bashkëpunim mes diplomatëve në ambasadat ekzistuese.

Xhaçka tha se përparësia e Shqipërisë anëtarësimi i Kosovës në nismat rajonale dhe organizatat ndërkombëtare, ndërsa shtoi se marrëveshja e dialogut me Serbinë duhet të sjellë njohjen e ndërsjellët mes dy vendeve dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe BE.

“Biseduam për përmbushjen e detyrave të lëna nga takimi dy kryeministrave Rama-Kurti më 27 shtator, ku do të ngrihet një Sekretariat i përbashkët si një strukturë operative dhe do të jetë një mekanizëm efikas për ndjekjen dhe realizimin e marrëveshjeve të nënshkruara deri tani dhe që do të nënshkruhen në të ardhmen. Do të ketë shtim të diplomacive të përbashkëta në zona si Afrika dhe Azia dhe ndërthurja e punës së diplomatëve të Shqipërisë dhe të Kosovës në ambasadat ekzistuese. Kemi qene avokatja më e pakompromis për Kosovën, do të ngremë zërin për të dhe kemi lobuar dhe kritikuar hapur padrejtësisë që i është bërë Kosovës nga Brukseli për mos liberalizimin e vizave”, tha Xhaçka.

Edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha se Kosova dhe Shqipëria kanë një bashkëpunim në të gjitha fushat dhe do të vijnë ta forcojnë edhe më shumë. Ajo tha se Kosova e ka të orientimin drejt BE dhe NATO dhe i shikon me skepticizëm konceptet konkurruese ndaj BE, ndërsa bëri thirrje se ndaj gjuhës agresive të Serbisë, i gjithë rajoni duhet të jenë më i koordinuar që të mos cenohet stabiliteti.

“Do të bëjmë një bilanc të mirë të bashkëpunimit tonë dhe një strategji të qartë se ku duam ta shohim Kosovën dhe Shqipërinë në të ardhmen. Nuk ka tema që nuk mund të preket në bisedat tona dhe gjatë javëve të fundit gjuha e Serbisë është ashpërsuar shumë. Duhet të jemi të kujdesshëm që këtë paqe të brishtë që kemi në rajon ta forcojmë dhe të gjithë së bashku të ndikojmë që të mos cenohet stabiliteti. Kosova e ka të qartë orientimin në BE dhe NATO dhe është skeptike ndaj koncepteve konkurruese ndaj BE”, tha Gërvalla.

Gjithashtu dy ministret vendosëm të promovojmë konkursin fotografik “Colors of Albanians” ku do të hapet në nëntor në Shqipëri dhe më pas do të vijojë në Kosovë.