Ministrja Ogerta Manastirliu ka treguar sërish rëndësinë që ka bërja e vaksinës. E ftuar në “Kjo Javë” ajo tha se po punohet për të miratuar certifikatën e shërimit, por sipas saj është përsëri e nevojshme vaksinimi dhe se varet nga shtete e BE për njohjen e saj.
Ndërkohë lidhur me një shifër të personave të infektuar me Covid-19 ndërkohë që janë vaksinuar, Manastriliu tha se është një përqindje shumë e vogël pasi 95% e të shtruarve në spitale janë të pavaksinuar.
Sipas saj nga 2600 persona të infektuar 126 janë persona që ishin të vaksinuar vetëm me një dozë të vaksinës.
Duke patur parasysh disa vende të Bashkimit Evropian, a e ka menduar ndonjëherë Shqipëria që të njihet imuniteti natyral i kalimit të Covid-it për një person që e ka kaluar në jo më pak se 6 muaj dhe të pajiset me një certifikatë për këtë. Sepse pas 6 muajsh edhe efektshmëria dhe antitrupat bien. Ka qenë pjesë e diskutimit kjo?
Po, në fakt e kemi aplikuar për të integruar sistemet ashtu sikurse bëmë me certifikatën e vaksinimit edhe për certifikatën e shërimit të cilën ne kemi filluar procedurat për ta njohur edhe këtë certifikatë në vendet e BE që të jep mundësinë e kalimit. Por çfarë është e rëndësishme? Vaksinimi është sërish i nevojshëm edhe kur ti e kalon Covid-in. Përsëri duhet të vaksinohesh 3 muaj pasi kalon Covid se pse me variantet e reja të virusit dhe me atë që mund të vijë mbrapa vaksina mbron sepse jep një mbrojtje dhe krijon një barrierë më të fortë për virusin dhe variantet e tjera të cilat mundet t’i kemi në të ardhmen. Kjo situatë ne na ka ballafaquar me shumë të panjohura të cilat na është dashur të dëgjojmë eskpertët, shkencëtarët, të lexojmë studime dhe t’i aplikojmë ata. Kur ekspertët thonë që po duhet bërë vaksina edhe kur t’i e ke kaluar Covid-in atëherë duhet bërë kjo vaksinë sepse ka një arsye se pse e rekomandojnë ndryshe do të thonin që kush e ka kaluar nuk duhet ta bëjë se është i mbrojtur. Fakti që e thonë këtë gjë ka një arsye. Për pyetjen tuaj, po ne jemi duke punuar edhe për sa i përket certifikatës së shërimit dhe të jetë e vlefshme sipas protokolleve dhe gjithashtu edhe për certifikatën e testit. Janë të tre këto pika përpos faktit që certifikatën e vaksinimit ne e kemi të njohur dhe kjo varet nga ne, varet sigurisht nga aplikimet që bëjnë vendet e BE për t’i njohur këto sisteme.
Në kuadër të vaksinimit a ka një plan në momentin që dikush drejtohet për të bërë vaksinën. Në shtet nuk bëhet analiza e serologjikut,ajo e antitrupave. Në momentin që dikush i nënshtrohet vaksinës a duhet të ketë një dokument se si e ka situatën. Ndoshta është duke kaluar Covid në ato momente dhe nuk e di. A duhet të bërë diçka për këtë për të mos krijuar komplikime.
Nëse do të kishte një udhëzim nga Komiteti i ekspertëve për ta vendosur në linjat guidë të realizimit apo hapave që duhen ndjekur deri në vaksinë patjetër që do ta kishim vendosur. Fakti që nuk e kemi vendosur do të thotë që nuk ka një udhëzues i cili të jetë i formalizuar pasi edhe në botë nuk ndodh kjo pasi nuk ka ende studime që janë 100% të sigurta në lidhje me imunitetin , sasinë e antikorpeve, me kitet dhe regentët. Ka disa elementë dhe ajo që është e rëndësishme që kur shkoni tek mjeku për të bërë vaksinën qe nuk duhet asgjë tjetër përveç kartës së identitetit ti shkon dhe paraqitesh dhe bën një formular. Dhe aty mjeku të identifikon edhe në rastet që mund të kesh sëmundje të cilat mund të mos e lejojnë bërjen e vaksinës, ashtu sikur mund të kesh një gjendje shëndetësore e cila mjekut ia rrit vigjilencën. Është mjeku ai që e vendos dhe ne kur kemi vendosur vaksinim kemi vendosur që çdo qytetar të jetë pranë mjekut të familjes duke plotësuar atë familjar dhe aty identifikohen të gjitha çështjet.
Duke u përqendruar tek spitalet Covid aty ku janë edhe të shtruarit. Situatën e shohim përditë edhe nga buletini i Ministrisë së Shëndetësisë por mbeten të paqarta situata të tipit si janë forma të rënda, ka pasur raste të rinj të infektimeve dhe që kanë kaluar Covid apo të vaksinuar? Sa persona kanë kaluar në fatalitet të cilët mund të kenë qenë të vaksinuar?
Do t’ju jepja një shifër se është edhe interesante. Nga buletini që unë marr për javën e 42 dhe nga rreth 2600 persona të infektuar 126 ishin persona që ishin të vaksinuar vetëm me një dozë të vaksinës. Janë shumë pak persona të cilët janë të infektuar dhe që janë me një dozë. Vaksina është shumë e rëndësishme. Të vaksinohesh nuk do të thotë se ke garanci 100% sidomos me dozën e parë që duhet të kesh maskën dhe distancën që kur të vijë doza e dytë të mos jesh sëmurë. Rastet që mundet që të infektohen kur mund të kenë bërë dozën e parë të vaksinës janë shumë të ulëta. Raste të cilat janë në spitale të cilat mund të jenë raste që kanë sëmundje bashkëshoqëruese apo kanë patur simptoma të rënda janë shumë pak në krahasim me raste që janë të pavaksinuar. 95% e rasteve që janë shtuar në spitale janë qytetarë që nuk janë vaksinuar dhe janë mosha nga 55 e sipër. Kemi pasur edhe raste të moshave të reja. Kjo është një kambane alarme sepse kemi ende prindër, gjyshër të pavaksinuar. Ky është alarmi. Padyshim që do të ketë raste që duhte të marrin trajtim në spital por shtuar problemet që sjell Covid gjendja agravon. Këtu mbetet shumë për të bërë për sa i përket ndërgjegjësimit dhe informimit.