Arkeo-Bylis, njësia kërkimore-shkencore e krijuar pranë Akademisë së Shkencave, me një mbështetje financiare modeste, brenda një muaji befason me zbulimet e para, nga gjurmët e Aleksandrit të Madh tek ato të perandorit Justinian.
Veç cisternës me pesë njësi të ndara (për të mos lejuar përhapjen e ndonjë helmimi a infektimi në të tërën), më e madhja në Ballkanin e jugut, po dalin në dritë shenja të rëndësishme për gjetje që mund të ndryshojnë përfytyrimin për historinë e qytetit, që u shua në shek. VI, pas përhapjes së epidemisë së murtajës.
Një statuetë e Aleksandrit të Madh (shih); një numeia, monedhë me portretin e perandorit Justinian në faqen recto dhe shkronjën A (?) verso (shih); identifikime me rëndësi në nekropol, ku ende nuk është nisur asnjë kërkim (tempulli natyror i kushtimeve për mbarësi në udhëtimet e gjata e të vështira – kryesisht figurina të Mërkurit – shih), janë vetëm disa prej tyre.
Arkeologu Neritan Ceka, që drejton njësinë dhe ekspeditën, duke përshkruar praninë kulturore helene e romake, gjithashtu dhe bizantine, thekson iliricitetin e qytetit, veçoritë e teatrit klasik të komedisë me 7.500 vende, në mënyrë të veçantë befasitë që mund të rezultojnë pas kërkimeve në episcopal pallas dhe në nekropol. Ceka nuk i kursen në këtë rast falënderimet për mbështetjen e autoriteteve vendëse qoftë dhe me gjeste simbolike, të afaristëve mallakastriotë dhe të mirëdashësve të arkeologjisë dhe lashtësisë së qytetërimit, njofton Akademia e Shkencave ne faqen e saj zyrtare.