Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj theksoi se nuk do të ketë rritje të cmimit të energjisë për familjet dhe biznesin e vogël. “Në radhë të parë, reforma e energjisë ka parashikuar një rritje graduale të çmimeve me qëllim arritjen e eficencës së operatorit të shpërndarjes. Kjo kategori biznesesh në bazë të vendimit që do të merret nga MIE pasi nuk është një vendim që merret nga MFE, patjetër që do të ketë një rritje të çmimeve të energjisë për biznesin e madh dhe patjetër që kjo kosto do të transferohet në çmime të konsumatorit sepse është një çmim prodhimi i cili do të transferohet pjesërisht tek konsumatori. Unë dua të theksoj që në Shqipëri ne nuk jemi “price makers”, ne jemi “price takers”. Shumicën e produkteve ne e importojmë dhe çmimet e importit janë ato që ndikojnë tek tregu.” tha Ibrahimaj e ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’, ku theksoi se një rritje e çmimit të energjisë dhe të kostos së prodhimit të bizneseve të mëdha nuk mund të transferohet automatikisht tek konsumatori pasi prodhimi vendas zë një peshë më të vogël në konsumin total sesa importi.

Pjesë nga Intervista: Tufa: Kryeministri pasi ka prezantuar planin e masave, për energjinë elektrike ka deklaruar se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike për familjet dhe biznesin e vogël. Kjo do të thotë se peshën më të madhe e merr biznesi i madh? Ibrahimaj: Peshën më të madhe në fakt në këtë rast po e merr qeveria, po e marrin projektet të cilat kishin filluar, kursimet që qeveria ka arritur të bëjë gjatë vitit dhe të ardhurat shtesë që i jepnin hapësirë për të nisur projekte të reja. Ndërkohë që në të ardhmen, patjetër që ne duhet të shkojmë drejt një tregu më eficent. Nuk mund të mendohet që për të gjithë kategorinë e bizneseve të ketë një subvencion kaq të madh nga qeveria.

Tufa: Po mirë, çfarë do të ndodhë me biznesin e madh? Do të ketë nje efekt anësor për ta që mund të kalojë zinxhir më pas? A do të përkthehet kjo me rritje të çmimeve nga ana e tyre që do të rëndojnë ke qytetarët? Ibrahimaj: Në radhë të parë, reforma e energjisë ka parashikuar një rritje graduale të çmimeve me qëllim arritjen e eficencës së operatorit të shpërndarjes. Kjo kategori biznesesh në bazë të vendimit që do të merret nga MIE pasi nuk është një vendim që merret nga MFE, patjetër që do të ketë një rritje të çmimeve të energjisë për biznesin e madh dhe patjetër që kjo kosto do të transferohet në çmime të konsumatorit sepse është një çmim prodhimi i cili do të transferohet pjesërisht tek konsumatori. Unë dua të theksoj që në Shqipëri ne nuk jemi “price makers”, ne jemi “price takers”. Shumicën e produkteve ne e importojmë dhe çmimet e importit janë ato që ndikojnë tek tregu. Pra, çmimet e prodhimit ndikojnë më pak çmimin e tregut sesa importi pasi jetojmë në një ekonomi të hapur ku konkurrenca cakton çmimet dhe nëse ne varemi më shumë nga importi sesa nga prodhimi vendas, patjetër që janë çmimet e importit që do të diktojnë çmimet e konsumatorit final. Dua të them që një rritje e çmimit të energjisë dhe të kostos së prodhimit të bizneseve të mëdha nuk mund të transferohet automatikisht tek konsumatori pasi prodhimi vendas zë një peshë më të vogël në konsumin total sesa importi.

Tufa: Por një efekt e ka, sic e shpjeguat edhe ju. Ibrahimaj: Do të jetë një efekt i cili materializimi i tij do të shihet në çmimet e importit. E theksoj këtë sepse në të gjithë botën është duke u materializuar një inflacion më i madh.Aktualisht, sot që flasim, inflacioni i ekonomive të botës është duke u rritur shumë më shumë sesa inflacioni i ekonomisë shqiptare. Pritjet e ekspertëve të ekonomisë si të bankave qëndrore europiane apo të vendeve të tjera janë që ky inflacion do të stabilizohet gjatë vitit të ardhshëm. Goditja që çmimet e konsumit kanë marrë nga rritja e energjisë është një goditje e përkohshme dhe nuk parashikohet që të zgjatet në periudhën afatmesme. Tufa: A mund ta quajmë këtë një strategji të qeverisë? Ibrahimaj: Jo, kjo nuk ka asnjë lidhje me strategjinë e qeverisë. Kjo ka lidhje me tregjet ndërkombëtare dhe me ecurinë e tregut. Pra, në të gjithë botën po materializohet rritja e çmimeve të konsumit. Kjo rritje çmimeve të konsumit patjetër që do të përkthehet në rritje të çmimit të importeve në Shqipëri dhe do të përkthehet në rritje të çmimeve totale por kjo goditje do të jetë e përkohshme. Këtë e parashikojmë ne, Banka e Shqipërisë, FMN-ja që ishte këtu. Nuk pritet që të ketë goditje të çmimeve të konsumit afatgjata nga kriza e energjisë.

Tufa: Ju e përmëndet FMN, disa ditë më parë i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të rrisë transparencën e shpenzimeve publike ndërsa investimet publike duhet të moderohen. Sipas FMN-së gjithashtu, qeveria duhet të bëjë kujdes edhe me PPP-të. A keni një koment? Ibrahimaj: Patjetër. Deklarata e FMN-së në fakt vjen si rezultat i një misioni dy javor ku FMN ka pasur takime të nivelit teknik me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë si dhe me Bankën e Shqipërisë dhe vjen si rezultat i një konsulence ndër vite që FMN-ja bën në Shqipëri dhe vende të tjera. Kjo nuk është surprizë për ne, rekomandimi i FMN-së për rritjen e transparencës. Në bazë të rekomandimeve të saj, ne kemi filluar punën prej kohës tashmë për rritjen e transparencës, përsa i përket PPP-ve që ju përmendët, ky është viti i dytë radhazi që publikohet një raport i cili pasqyron ecurinë e PPP-ve dhe rrit transparencën në këtë drejtim. Patjetër që ne do të lexojmë më kujdes raportin final të FMN-së i cili del në fillim të muajit dhjetor ku ka një analizë të detajuar sesa një deklaratë dhe në bazë të rekomandimeve do të marrim të gjitha masat që transparenca të rritet. Transparenca nuk është vetëm një rekomandim i një institucioni ndërkombëtar. Rritja e transparencës na shërben ne më shumë për ti shpjeguar qytetarëve se çfarë po bën qeveria shqiptare dhe si mendon që të arrijë në ato objektiva që i ka përcaktuar vetes.