Ambasadori BE-së, Luigi Soreca, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama u shpreh se vendi ynë i ka përmbushur kushtet e vendosura nga Këshilli Europian dhe “tani është momenti për të mbledhur Konferencën e Parë Ndërkombëtare”.
Një ditë më parë, u publikua Progres Raporti i KE-së për Shqipërinë, ku u rekomandua hapja e negociatave për Shqipërinë, pasi i ka plotësuar kushtet.
“Bashkimi Evropian duhet të lexojë Progres Raportin, vendet anëtare duhet të shohin se Shqipëria i ka përmbushur kushtet dhe është koha për të ulur në tryezë të përbashkët me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Shqipëria ka vijuar me përparimet për reformat. Raporti tregon se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e caktuara nga Këshilli. Konferenca e parë duhet të mblidhet brenda vitit”.
Sipas ambasadorit, ka rezultate dita ditës, jemi besimplotë që qeveria dhe kuvendi janë të gatshëm për të bërë punën e mëtejshme. “Në fushën e sundimit të ligjit, raporti tregon se ka përmirësim në vetting, luftën kundër korrupsionit, duke krijuar trupat e reja të specializuara për zbatimin e ligjit. Fusha kyçe ku duhet të vazhdojë puna e ndërprerë është procesi i vetting-ut”.
Soreca thekson se shtyrjet për anëtarësim do të kenë ndikim negativ për besueshmërinë për Unionin.