Tenderët për blerjen e barnave dhe të pajisjeve të tjera mjekësore për spitalet publike, me vendim qeverie, tashmë do t’i kalojnë në dorë Ogerta Manastirliut. Në vendimet qeveritare të bëra sot publike, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ngarkohet për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të spitaleve publike për blerjen e disa mallrave. Ministria e Shëndetësisë do të zhvillojë procedurat për prokurimin e përqendruar të barnave dhe të pajisjeve mjekësore, me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, për nevojat spitalore, sipas parashikimeve të legjislacionit të prokurimit publik.
Vendimi i qeverisë 1. Ngarkimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si organ qendror blerës për prokurimin e fondeve buxhetore, me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, në emër dhe për llogari të spitaleve publike, për blerjen e barnave dhe të pajisjeve mjekësore.
2. Autoritetet kontraktore, institucionet e përmendura në pikën 1, të këtij vendimi, brenda 5 (pesë) ditëve nga njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, si organ qendror blerës, të dërgojnë pranë saj të dhënat teknike e sasiore dhe fondin përkatës për mallrat përkatëse. 3. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, kur vepron si organ qendror blerës, ka detyrat e përgjegjësitë që parashikohen nga legjislacioni i prokurimit publik në fuqi, si: a) të zhvillojë procedurat për prokurimin e përqendruar të barnave dhe të pajisjeve mjekësore, me vlerë mbi kufirin monetar të prokurimeve me vlera të vogla, për nevojat spitalore, sipas parashikimeve të legjislacionit të prokurimit publik;
b) të bashkërendojë punën me autoritetet kontraktore për mbledhjen e përpunimin e të dhënave për prokurimet publike, që mund të zhvillojë në cilësinë e organit qendror blerës; c) të verifikojë përputhshmërinë e kërkesave të dërguara nga autoritetet kontraktore me ligjin e standardet në fuqi; ç) të shqyrtojë dhe të miratojë specifikimet teknike të dërguara nga autoritetet kontraktore. Nëse gjykohet se specifikimet teknike nuk janë përgatitur në përputhje me ligjin për prokurimet publike dhe/ose legjislacionin specifik të aplikueshëm sipas fushës së objektit të prokurimit, të cilat mund të shkaktojnë dështim të procedurës së prokurimit, organi qendror blerës kryen rishikimin e specifikimeve teknike, në bashkëpunim me specialistët e fushave të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj. Në këto raste, organi qendror blerës vë në dijeni autoritetet kontraktore për ndryshimet e bëra; d) të unifikojë specifikimet teknike për mallra të të njëjtit lloj, në përputhje me standardet e miratuara, në bashkëpunim me specialistët e fushave të institucioneve përgjegjëse ose specialistë të jashtëm, vendas a të huaj. Në këto raste, organi qendror blerës vë në dijeni autoritetet kontraktore për ndryshimet e bëra; dh) të bashkërendojë punën për testimin e tregut me autoritetet kontraktore për përllogaritjet e të dhënave sasiore për mallrat, që do të prokurohen, para publikimit të tenderit, sipas parashikimeve të rregullave të prokurimit publik. Në këto raste, organi qendror blerës vë në dijeni autoritetet kontraktore për ndryshimet e bëra.
4. Vendimi nr.135, datë 20.2.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për lejimin e Ministrisë së Shëndetësisë për kryerjen e procedurave të prokurimit publik, në emër dhe për llogari të institucioneve të varësisë, për disa mallra e shërbime”, të ndryshuar, dhe udhëzimi nr.334, datë 4.8.2015, i ministrit të Shëndetësisë, “Mbi mënyrën e organizimit dhe realizimit të disa procedurave të përqendruara të prokurimit publik në Ministrinë e Shëndetësisë”, shfuqizohen. 5. Ngarkohet Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të udhëzojë autoritetet kontraktore për zbatimin e këtij vendimi. 6. Ngarkohen Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe spitalet publike për zbatimin e këtij vendimi.