Bullgaria duket se do të vazhdojë ta mbajë peng hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Samiti BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt në Brdo të Sllovenisë nuk dha asnjë datë për konferencën ndërqeveritare për këto dy vende pa u zgjidhur më parë çështja mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“BE nuk është i plotësuar pa Ballkanin Perëndimor, ndaj do të vazhdojmë punën për të avancuar në procesin e zgjerimit të BE. Qëllimi ynë është zgjerimi. Por, edhe BE duhet të bëjë më shumë. Ka treguar mungesa në procesin e hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe RMV. Duhet të ecim përpara në këtë proces, ta qartësojmë. Po bëhet një punë intensive nga Komisioni Evropian për çështjet kryesore, që është edhe çështja bilaterale mes RMV dhe Bullgarisë. Shpresoj që ata ta zgjidhin sa më shpejt këtë problem dhe të ecin përpara. Kemi diskutuar në samit dialogun”.
E pikërisht për këtë çështje Kryeministri Rama ka pasur një debat të ashpër me Presidentin bullgar.
Presidenti i Bullgarisë: Një nga arsyet e bllokadës së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut është presioni i madh mbi minoritarët bullgarë, të cilët sipas tij kanë frikë të vetëdeklarohen ndërkohë që janë mbi 100 mijë qytetarë me pasaporta bullgare në vendin fqinj.
Kryeministri Rama: Sipas kësaj teorie, shqiptarët që për të marrë dokumente pune në Greqi kanë ndërruar edhe emrin e madje edhe fenë, na qenkan nën presion në Shqipëri prandaj nuk deklarohen grekë. Marrësit e pasaportave bullgare janë pjesa dërrmuese maqedonas që kanë dashur të përfitojnë nga lëvizja e lirë në Bashkimin Europian. Kjo që bën Bullgaria është pengmarrje e cila dëmton Bullgarinë në raport me BE-në, jo vetëm Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Kjo pengmarrje po ja merr fytyrën edhe Bashkimit Europian në sytë e popujve të Ballkanit Perëndimor.
Pas konferencës për shtyp, Presidentja e Komisionit dhe ai i Parlamentit Europian të pyetur thanë se janë duke e shqyrtuar me kujdes çështjen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
Në samit u ra dakort dhe për një mbështetje prej 30 miliardë Eurosh për rajonin e Ballkanit Perëndimor.