Ndërsa kanë mbetur një javë nga dita e zgjedhjeve lokale në Kosovë, kryeministri Albin Kurti iu është drejtuar qytetarëve me një video-mesazh të cilin e ka publikuar në Facebook.
Vota për numrin 144,- thotë kryeministri Kurti është jetike për t’i dhënë mundësi zhvillimit dhe drejtësisë në komuna. Gjithashtu ai iu drejtohet edhe aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, duke i kërkuar që të ndezin motorët dhe turbinat për të tejkaluar çdo parashikim të rezultateve.
“Sot një jave do të jemi tek kutia e votimit. Aty secili do të marrë vendim që ka rëndësi edhe më të madhe se 14 shkurti. në të gjitha komunat udhëkryqi është i tillë, nga njëra anë kandidatët e Vetëvendosje me zgjidhje optimale për problemet reale dhe nga ana tjetër ata që paguajnë me milionat e vjedhura deri dje për marketing me shpresën që nesër të zhvatin përsëri. Kosova vetëm për 6 muaj të qeverisjes po regjistron shkallën më të lartë të rritjes ekonomike në Europë, për vetëm 3 muaj doli në krye të rajonit për shkallë të vaksinimit, dhe u listua si vendi me nivelin më të ulët të krimit të organizuar në vend. Tani është me rëndësi që të mbartin të njëjtën frymë tek secila komunë”, tha Kurti.