Është themeluar që prej vitit 1951. Sot Universiteti Bujqësor i Tiranës, numëron plot 70 vjet që nga dita e krijimit. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca shprehu mirënjohjen për gjithë gjeneratën e profesorëve dhe akademikëve të diplomuar ndër breza, duke thënë se falë edhe kontributit të tyre, ky universitet është renditur ndër më të mirët.

“Unë e di se nuk është e lehtë të zgjedhësh këtë sektor. Duhet të kesh një thirrje të brendshme e ta duash shumë. Dhe fatmiresisht ka njerëz që e duan. E konsideroj fat për gjithsecilin student të mund të kontribuojë në këtë historinë tonë të zhvillimit bujqësor duke dalë nga një Universitet me histori. Janë diplomuar gjenerata profesorësh e akademikësh të nderuar të bujqësisë, të cilët me kontributin e tyre kanë bërë të mundur që ky universitet të renditet ndër më të mirët. Nje falenderim e mirënjohje e thellë për ta”.

Krifca tha se UBT është një një bashkëpunëtor i vyer në fushën e bujqësisë e jo vetëm, e si i tillë mbetet në vëmendjen e politikave qeverisëse.

“Universiteti Bujqësor i Tiranës është në vëmendje dhe interes të drejtpërdrejtë të politikave qeverisësë, për kontributin e tij në fusha me interes të gjerë publik duke ofruar produktin shkencor, ekspertizë dhe kontribut profesional në procesin e negociatave për kapitujt e Bujqësisë dhe Mjedisit duke plotësuar standardet dhe detyrimet që shoqërojnë procesin e antarësimit të vendit në BE”.

Ministrja iu bëri thirrje pedagogëve që të jenë më proaktiv edhe në dialogun publik.

“Kemi nevojë që edhe ju pedagogë, ekspertë të tregoni me veprime konkrete rolin tuaj. Të keni një rol më proaktiv në hapësirën publike dhe të mbroni dijen. Ne besojmë tek ju, ekspertiza shkencore dhe argumentat shterues. Ju ftoj ta zotëroni hapësirën mediatike dhe dialogun publik me debat konstruktiv për zhvillimin e sektorit bujqësor. Ju inkurajoj ta bëni këtë në të gjitha fushat, që nga blegtoria, siguria ushqimore, pyjet, apo politikat bujqësore”.

Edhe pse jo në prezencë fizike për shkak të angazhimeve në punë jashtë vendit, urimi i Kreministrit Edi Rama erdhi përmes një mesazhi që ministrja Krifca e lexoi për audiencën.

“70 vjet janë shumë për një njeri, por jo për një Universitet dhe aq më pak për Universitetin tuaj, i cili në 70 vjetorin e vet është në një farë mënyre ende në rininë e tij të hershme për mënyrën se si ka rrjedhur historia e tij. Sot githsesi kemi plot arsye të jemi më optimist se dje. Mjafton të mos harrojhmë se ku e nisëm për të vazhduar me kurajo përpara së bashku, ku respekti për përpjekjet tuaja dhe ndihma jonë me gjithçka mundemi nuk do të mungojë asnjëherë. Gëzuar, shëndet dhe sukses!”

Në kuadër edhe të kësaj dite, u mbajt edhe Konferenca Ndërkombëtare për Bujqësinë dhe Shkencën e jetës në kuadër të procesit të anëtarësimit në BE.