Në prag të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bashkë me partnerët ndërkombëtarë dhe organizatat e shoqërisë civile kanë nisur fushatën e ndërgjegjësimit kundër dhunës ndaj grave.
Duke nisur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale turin lëvizës me autobusë që do të jenë në të gjithë Shqipërinë, Ministrja Ogerta Manastirliu, së bashku me përfaqësues nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara, përfaqësues të shoqërisë civile dhe student u drejtuan drejt Kamzës, në etapën e parë të këtij turi.
Manastirliu tha se në këto ditë, do të jenë një seri aktivitetesh që do të bëhen në bashkëpunim me të gjithë aktorët, për të rritur sensibilizimin kundër dhunës ndaj grave.

“Janë plot 250 aktivitete të cilat do të zhvillohen së bashku me përfaqësues të shoqërisë civile, me të gjithë organizatat dhe institucionet. Duhet të bëjmë më shumë për të rritur ndërgjegjësimin. Ajo çfarë kërkohet është të shkojmë në çdo shtëpi, të shkojmë tek çdo grua, që të ndjejnë se nuk janë vetëm”, tha Manastirliu.
Gjatë bashkëbisedimit me përfaqësues të shoqërisë civile në këtë etapë të parë të turit lëvizës, Ministrja e Shëndetësisë ka vënë theksin tek edukimi në shkolla, si arma më e fortë për të luftuar fenomenin e dhunës.

“Unë besoj fort që edukimi është arma me të cilën ne mund t’i luftojmë këto fenomene. Ndaj jam e kënaqur që nëpërmjet kësaj strukture lëvizëse, që është një strukturë që bashkon të gjithëve, të mundemi që ta fillojmë këtë rrugëtim të kësaj njësie lëvizëse, duke filluar nga shkollat. Besoj fort që shkollat, edukimi, janë arma më e fortë dhe arma që të sjellë liri, sepse çdo akt dhunë është kufizimi i lirisë”, tha Manastirliu.

Duke folur për shërbimet në territor, Manastirliu nënvizoi se çdo bashki duhet të punojë që të ketë shërbime sociale për kategoritë vurnerabël.
“Kemi arritur që të ndërtojmë shërbime të reja sociale në bashki. Dua të përmend këtu edhe vetë përgjegjësinë që bashkitë kanë në këtë aspekt, dhe mendoj që fakti që i’a kemi dalë që mund të ngremë në një nivel më të lartë shërbimet sociale në territor do të thotë që mund t’ia dalim për ta përmbushur objektivin tone, që çdo bashki të ketë shërbime sociale, çdo bashki mundet të ndërtojë shërbime të shënjestruara për kategori të caktuara të grupeve vurnerabël”, tha Manastirliu. Njësia lëvizëse do të jetë kudo nëpër Shqipëri në këto 16 ditë të fushatës kundër dhunës me bazë gjinore. Fushata ndërkombëtare kundër dhunës me bazë gjinore do të zhvillohet nga datat 25 Nëntor-10 Dhjetor. Slogani mbarëkombëtar në këto ditë të fushatës është: “Bëje Botën Portokalli: Të ndalim dhunën ndaj grave, tani!”