Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se grantet që iu dhanë qytetarëve para zgjedhjeve nuk kanë lidhje me zgjedhjet.
I pyetur në një intervistë televizive mbi akuzat e opozitës për dhënien e granteve qytetarëve që iu prishën shtëpitë nga tërmeti, Rama tha se, “është i gjithë një proces që ka të bëjë me njerëz në nevojë. Ato janë grante që kanë të bëjnë me ndërtimin e shtëpive. Sepse një pjesë e shtëpive individuale janë dhënë në formë grantesh pikërisht në ato zona, apo në ato pika ku ka qenë shumë më e komplikuar që të ndërtohej me kompani. Sepse një shtëpi këtu, një atje, kostoja ishte shumë e lartë”.
“Kryetarët e bashkive kanë punuar, edhe Ministria e Rindërtimit, me qytetarët për të kuptuar nëse qytetarët ishin të interesuar t’i merrnin grant një pjesë të parave. I kanë marrë grante, i ndërtojnë shtëpitë vetë, i kanë ndërtuar vetë faktikisht, ose janë grante të qirave. Kështu që është gjëja më normale në botë. Do linim ne njerëzit pa iu dhënë lekët meqenëse kishim zgjedhje. Kjo s’bën sens”, tha Rama.