Tiranë, 3 Nëntor – Në buxhetin e vitit 2022 është parashikuar rritja e mbështetjes financiare për familjet, individët dhe kategori të caktuara që përfitojnë nga skema e ndihmës ekonomike. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka zhvilluar një takim me familje, të cilët do të përfitojnë nga mbështetja direkte financiare që jep shteti.
“Ne do ta rrisim këtë mbështetje me 10% për rreth të gjithë familjet e skemës së ndihmës ekonomike me buxhetin 2022. Ndërkohë që për familjet të cilët kanë mbi 3 fëmijë nën moshën 18 vjeç, masa e ndihmës ekonomike për familjet përfituese do të dyfishohet. Për kategoritë e veçanta të cilët janë pjesë e mbështetjes sociale direkte dhe që janë fëmijët jetimë, gjithashtu dhe gratë e trafikuara dhe të dhunuara me urdhër mbrojtje, masa e përkrahjes sociale do të trefishohet” tha Manastirliu.
Duke e quajtur buxhetin e vitit 2022 të qytetarëve dhe të rritjes së mburojës sociale për familjet dhe fëmijët, Manastirliu tha se mbështetja do të vijojë edhe në aspekte të tjera përveç rritjes së masës së pagesës së ndihmës ekonomike.
“Dua që t’ju them se ne nuk do të ndalemi këtu. Jo vetëm aspekti i ndihmës ekonomike direkte por gjithashtu subvencioni për vaksinimin do të vazhdojë, subvencioni për mosbraktisjen e shkollës do të vazhdojë, mbështetja për kompesimin e energjisë elektrike do të vazhdojë”, tha Manastirliu.
Rritje e masës së ndihmës ekonomike me 10% për të gjithë familjet përfituese në skemën e NE. Dyfishim të masës së ndihmës ekonomike për rreth 15 mijë familje përfituese të programit të NE, me mbi 3 fëmijë deri në 18 vjeç. Trefishim të masës së ndihmës ekonomike për fëmijët jetimë, gratë e trafikuara dhe të dhunuara. Nga skema e ndihmës ekonomike përftiojnë 68 mijë familje.