23 Nëntor, Tiranë- Personat me çrregullime të shëndetit mendor që vuajnë dënimin do të transferohen në institucionin e vuajtjes së dënimit të Shënkollit në Lezhë, në një mjedis më të përshtatshëm për ofrimin e kujdesit teraputik, human dhe të sigurt.
Marrëveshja që shpreh angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësië dhe Mbrojtjes Sociale për përmirësimin e trajtimit të personave me çrregullime të shëndetit mendor me masë mjekësore, u firmos sot nga Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në prani të përfaqësuesve të Komitetit për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Europës në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë.
“Në kuadrin legjislativ kemi bërë çdo rregullim për adresimin e problematikës së trajtimit të personave me masë mjekësore apo të dënuar me probleme të shëndetit mendor. Përsa i përket situatës fizike, mund të themi pa fshehur asgjë, se për shkak të tërmetit dy vjet më parë, janë në rikonstruksion dy burgje, ai i Vaqarrit dhe Lezhës si dhe dy blloqe në Shënkoll janë të mbyllura po për të njëjtin shkak. Megjithatë kemi mundur të menaxhojmë problematikën dhe të adresojmë si duhet rekomandimet e CTP për personat me masë mjekësore, apo të dënuar me probleme të shëndetit mendor. Përgjatë këtij viti, me fondet e buxhetit të shtetit, janë rikonstruktuar blloqet 2 dhe 3 dhe janë përshtatur me kushte shumë të ndryshme për të akomoduar si një fazë të ndërmjetme personat që me masë mjekësore, apo të dënuar me probleme të shëndetit mendor në burgun e Zaharisë. Dhe mund të pohoj, se kam urdhëruar transferimin e tyre brenda datave 27 dhe 28 Nëntor. Ndërkohë në buxhetin e vitit 2022 janë parashikuar rreth 4.5 milionë euro investime për infrastrukturën në burgje, për një trajtim sa më dinjitoz të personave që vuajnë dënimin nga drejtësia në Shqipëri”, tha Manja.
“Marreveshja që ne firmosim sot është kurorëzim i një pune të gjatë të ekipeve tona, për të garantuar mbështetjen mjekësore dhe të drejtat e personave që vuajnë dënimin dhe janë me problematika të shëndetit mendor. Në këtë fazë të planit të veprimin për përmirësimin e kushteve dhe trajtimit të personave me çrregullime të shëndetit mendor që kanë kryer një vepër penale, do të vijojmë të ofrojmë të gjithë ndihmën e nevojshme të asistencës mjekësore, jo vetëm për protokollet mjekësore por edhe ekzaminimet e nevojshme dhe trajtimin e duhur që do të garantojmë në këtë institucion tranzitor. Nga ana tjetër, po vlerësojmë të gjitha mundësitë nëpërmjet donatorëve, për të financuar institucionin e posaçëm, si një objektiv strategjik i planit të veprimit për përmirësimin e trajtimit të personave me çrregullime të shëndetit mendor, me masë mjekësore”, deklaroi Manastirliu.
Marrëveshja mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka si objekiv përcaktimin e angazhimeve dypalëshe, nëpërmjet marrjes së masave afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata në adresim të rekomandimeve të mekanizmave monitoruese ndërkombëtare dhe kombëtare si dhe vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për përmirësimin e kushteve dhe trajtimit të personave me çrregullime të shëndetit mendor, që kanë kryer një vepër penale, për të cilët gjykata kompetente ka vendosur mjekimin e detyruar në një institucion mjekësor; për të burgosurit që shfaqin çrregullime të shëndetit mendor; si dhe trajtimin e personave për të cilët gjykata ka vendosur shtrimin e përkohshëm në një institucion mjekësor të posaçëm.
Ministria e Drejtësisë do të vendosë në dispozicion pajisjet që disponon me qëllim përshtatjen dhe pajisjen me aparaturat e nevojshme të dy godinave pranë Institucionit të kujdesit shëndetësor Lezhë, duke siguruar ambient fizik të përshtatshëm për ofrimin e kujdesit teraputik. Gjithashtu Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale, merr përsipër ofrimin e shërbimit të specializuar psikiatrik mbështetës për stafin e Institucionit të kujdesit shëndetësor Lezhë, sipas nevojave, sigurimin e diagnostikimit, ekzaminimeve kliniko-biokimike, imazherike dhe trajtimit të specializuar për problematika të ndryshme shëndetësore të personave me çrregullime të shëndetit mendor.
Marrëveshja u nënshkrua në Ministrinë e Drejtësisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Komitetit për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Europës.