“Parajsa e dashur, edhe pse është vend klasik i shenjtëruar, s’krahasohet dot me vise që fsheh ky bregdet”.
Me këto vargje të Lord Bajronit nga poema “Shtegtimet e Çajld Haroldit” do ta fillonte Edi Rama fjalimin e tij në Vlorë për të prezantuar nisjen e punimeve në tunelin e Llogarasë, një vepër e rëndësishme strategjike për zhvillimin turistik të jugut të vendit.
Rama tha se: “Tuneli i Llogarasë parashikohet të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash, me një nisje nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit deri në urën e Palasës. Ky segment i rëndësishëm rruge, pas ndërtimit të tunelit, do të përshkohet për vetëm 7- 10 minuta”.
Tuneli i Llogarasë do të shkurtojë kohën e mbërritjes në “Parkun Kombëtar të Llogarasë” dhe ky projekt i bashkangjitet edhe një tjetër vepre infrastrukturore në zonën e jugut, segmentit Dukat – Orikum e cila lidh tunelin në pjesën e fshatit Dukat dhe afron Vlorën me bregdetin e Himarës me 30 minuta.
Synimi madhor i qeverisë është ndërtimi i të ashtuquajturit “gjerdan infrastrukturor” që nis nga bypass-i i Fierit, vijon me aeroportin e Vlorës, bypassi- in Vlorë dhe tunelin e Llogarasë.
“T’u japim mundësinë turistëve që të lëvizin në pikat më të rendësishme të vendit në një kohë shumë të shkurtër ” u shpreh Rama.
Objektiv parësor mbetet transformimi tërësor i infrastrukturës rrugore për të përmirësuar ndjeshëm sigurinë dhe trafikun rrugor gjatë sezonit turistik por edhe gjatë gjithë vitit.
Ndikimi më i madh do të jetë në ekonomi, së pari me zhvillimin e turizmit, më pas me rritjen e punësimit dhe nxitjen e ekonomive të tjera lidhur me turizmin si kulinaria, hoteleria, bletaria, blegtoria, tregtia etj.
Llogaraja mbetet nyja që do të lidhi dhe dy projektet ambicioze ajrore, Aeroporti i Vlorës dhe i Sarandës.