Mediat pranë Berishës kanë publikuar të dhënat e sistemit TIMS, të cilat provojnë se kreu i PD, Lulzim Basha dhe biznesmeni i inceneratorëve Klodian Zoto kanë kryer dy udhëtime së bashku.
TIMS tregon se udhëtimi i Lulzim Bashës me Klodian Zoton mban datën 13.02.2018 me tranzit Romën dhe destinacion final kryeqytetin e Holandës, Amsterdam.
Pas më shumë se 5 muajsh Lulzim Basha udhëton sërish me Klodian Zoton po në Holandë. Këtë herë udhëtimi i të dyve mban datën 27/08/2018.
Të dy kanë udhëtuar me tranzit Vjenën dhe destinacion final sërish Holandën, në të njëjtën ditë e në të njëjtën orë.
Menjëherë pas udhëtimit të dytë në Gusht të vitit 2018 Lulzim Basha nisi sulmet publike ndaj Zotos.
Përse Klodian Zoto është detyruar të udhëtojë me Bashën në Hollandë? Çfarë i ka kërkuar Lulëzim Basha Klodian Zotos? – pyet gazeta MAPO dhe më pas shkruan:
“Duket se biseda mes të dyve nuk ka shkuar mirë. Klodian Zoto nuk ka pranuar të paguajë gjobën e vënë nga Lulzim Basha duke u kthyer në Tiranë bashkë me refuzimin për të paguar gjobën edhe me betimin e Bashës se ai do të bëhej shënjestër e sulmeve të opozitës.
Dy njerëzit që kanë marrë përsipër të flasin me gojën e Bashës janë Gaz Bardhi dhe Jorida Tabaku, të cilëve sot ju bëjmë një pyetje:
A ka udhëtuar Basha familjarisht (përfshirë kunatin) me personat e tjerë që ai akuzon? Nëse po ku i ka takuar dhe për çfarë nuk ka rënë dakord? Sa ka qenë gjoba që këta njerëz nuk kanë pranuar të paguajnë dhe sot për pasojë janë pjesë e linçimit dhe shpifjeve të Bashës?
Nëse Gaz Bardhi dhe Jorida Tabaku nuk përgjigjen, në ditët në vazhdim do i ndihmojmë ne, fillimisht nëpërmjet sistemit TIMS”.