Pasiguria globale në lidhje me ushqimin është një fenomen që mund të zgjasë, e nxitur nga rritja e çmimit të lëndëve të para dhe e rënduar nga rreziqet klimatike dhe realiteti i pamëshirshëm demografik, paralajmëroi Sébastien Abis, menaxher i përgjithshëm i grupit të ekspertëve “Demeter” për Bujqësinë.

Nga vjen presioni aktual mbi çmimet botërore të ushqimeve?

Sipas Abis, ky tension agroushqimor buron nga dy fenomene: demografia (ka dy herë më shumë banorë në planet se 50 vjet më parë) dhe realiteti gjeografik (nuk prodhohet gjithçka kudo).

Çmimet e ushqimeve janë shumë të lidhura me çmimin e energjisë për prodhimin e tyre dhe koston e transportit të tyre. Pas krizës 2008-2009 pati një qetësi, por bota hyri sërish në të njëjtin supercikël. Ajo që është e veçantë për krizën sot është se ndryshimi i klimës po përshpejtohet dhe kriza COVID-19 ka rezultuar në strategji të ruajtjes. Megjithatë, çmimet e kulturave kryesore janë rritur: orizi, për shkak të kostos së plehrave azotike, rapara (pjesërisht e vlerësuar si biokarburant) që ka ndjekur çmimet e energjisë dhe gruri “që, me 290 euro për ton, ka kapur “rekordin e vitit 2008”.

Cila është forca shtytëse pas këtij shpërthimi?

“Një kërkesë globale gjithnjë e më e qëndrueshme. Megjithatë, Kina është sot motori kryesor i rritjes së lëndëve të para bujqësore”. Sipas ekspertit, ajo prodhon shumë, por nevojat e saj janë të tilla që investon shumë në tregun ndërkombëtar: ka blerë shumë misër dhe tre të katërtat e sojës në botë. “Kur Kina, prodhuesja më e madhe në botë i grurit, kalon në blerjet e tregut prej rreth 10 milionë tonë në vit, kjo është diçka e madhe”.

A do të zgjasë kjo krizë?

“Ne po shkojmë drejt një bote, ku çmimi i ushqimit është vendosur të rritet. Unë nuk shoh ndonjë faktor që mund të kontribuojë në tendencat e forta rënëse në një afat të shkurtër”, tha Abis. Në pranverën e vitit 2020, bota po dilte nga vite korrjesh të favorshme, por COVID-19 ndryshoi kapacitetin prodhues: më pak punëtorë në fusha dhe për të transportuar produkte, të cilave iu shtuan edhe kushtet ekstreme klimatike, si thatësirat, përmbytjet.

Cilat janë rajonet më të prekura?

“Afrika po nxehet tri herë më shpejt se kontinentet e tjera. Në Afrikën Perëndimore, një importuese neto e produkteve bujqësore, prodhimi është nën potencialin bujqësor për shkak të problemeve të ruajtjes, transportit, menaxhimit të zinxhirit të ftohtë, por edhe sigurisë”, vazhdon eksperti. “Nigeria, PBB-ja e parë e Afrikës, falë naftës, po blen gjithnjë e më shumë në tregje, sepse shporta e bukës së saj në veri, në rajonin e Liqenit Çad, është e pushtuar nga grupi xhihadist Boko Haram”.

“Në Burkina Faso, zona të tëra të prodhimit të pambukut, që përfaqëson 10 deri në 20% të PBB-së, nuk mund të kultivohen më për shkak të pasigurisë”. “Në disa rajone, fermerët që mund të rrisin rendimentet e tyre nuk prodhojnë më shumë për të mbetur të padukshëm, nga frika e grabitjes”. Kjo ngre temën e qeverisjes. Ne kemi paqe në Evropë prej 50 vjetësh. Kontinenti duhet të mbetet i bashkuar, jo të çarmatoset përballë nevojave globale për ushqim. Le të mos harrojmë se bujqësia dhe ushqimi janë kontribues të fuqishëm për paqen botërore”, përfundon Abis.