Kryeministri Edi Rama e vijoi sot turin e takimeve me nxënës dhe studentë në Kamzë nga ku deklaroi se, në projektbuxhetin për vitin 2022 janë parashikuar fonde më të larta për investimet në laboratorët e shkollave në të gjithë vendin.
“Në projektbuxhetin që aktualisht po diskutohet në Kuvend janë adresuar nevoja që lidhen edhe me disa prej çështjeve që u shprehën këtu, për të mbështetur ecurinë e mëtejshme në fushën e sporteve, të arteve, zejeve, etj., për të cilat po përgatisim edhe programe të veçanta se si do të përfshihen këto në jetën e përditshme të nxënësve dhe se si do të stimulohen nxënësit që do të përfshihen në këto projekte. Është parashikuar një fond edhe për laboratorët dhe është fakt se pavarësisht se mund të jenë ndërtuar shumë laboratorë, pajisjet në to janë ose krejt modeste, ose mungojnë fare. Dhe për këtë arsye vitin që vjen financimi i vendosur për laboratorë do të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në pajisjen me më shumë”, deklaroi kryeministri Rama.
Rama tha se e njëjta gjë është edhe për teknologjinë.
“Duhet bërë më shumë për teknologjinë. Ne jemi të vetëdijshëm se edhe në këtë drejtim përsëri boshkllëku është i konsiderueshëm, duke marrë parasysh edhe faktin se në një numër jo të vogël rastesh mësuesit e TIK janë matematike ose fizike dhe jo të fushës drejtpërdrejtë. Nuk diskutohet se te kjo sferë është edhe potenciali më i madh i zhvillimit, sepse përmes marrjes së njohurive mbi teknologjinë dhe zotërimit të gjuhës së teknologjisë njeriu sot mund të bëjë çudira pavarësisht ku ndodhet”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, me këtë gjuhë është faktikisht i pranishëm në një treg që është më i madhi, global i aktiviteti dhe shërbimeve online.
Ai informoi se edhe në Shqipëri pavarësisht se nuk ka patur një sistem për të orientuar të rinjtë në këtë drejtim, ka jo pak të rinj që sot punojnë në tregjet ndërkombëtare duke qëndruar në shtëpi.
Kryeministri ndau me të rinjtë e gjimnazeve të Kamzës rastin e një të reje vetëm 16 vjeçare që kishte 5 vite që punonte për tregjet polake apo gjermane.
“Kjo është norma sot në atë pjesë të botës rinore që merret me kodimin, programimin dhe tregun online. Këtu është një potencial i jashtëzakonshëm për të rritur punësimin cilësor të të rinjve”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi se në drejtim të mësimdhënies së informatikës po përgatitet një plan që do të nis zbatimin vitin e ardhshëm shkollor.
“Do të bëjmë një investim të konsiderueshëm edhe për mësimin e informatikës. Sot siç e mësuam nga pandemia nuk është e nevojshme të jemi të gjithë në një hapësirë për të shkëmbyer dijen, marrë informacion, apo mësim. Ne duam të përfshijmë mësuesit më të mirë të mundshëm të infromatikës në një program që pa qenë nevoja të jenë fizikisht, të japin mësim, duke bërë që nxënësit të marrin cilësinë më të mirë, por edhe mësuesit të rrisin kapacitetin e tyre duke marrë eksperiencën e mësuesve më të mirë. Ky program nis zbatimin vitin e ardhshëm shkollor”, deklaroi Rama.
Kryeministri Rama në fund të takimit vizitoi edhe një ekspozitë të hapur nga të rinjtë në këtë bashki.
Konsultimi publik i nisur në fillim të muajit tetor do të shtrihet në gjithë Shqipërinë me nxënës dhe studentë për Strategjinë e Re Kombëtare për Rininë (2022-2029), për të prodhuar në bashkëpunim me më të rinjtë një dokument pune dhe angazhimesh konkrete të institucioneve kombëtare e vendore, në funksion të fuqizimit të rinisë shqiptare.