Kryeministri Edi Rama këtë të martë e konsideroi thjesht një metaforë shprehjen “balonë tabake”, duke theksuar se nuk kishte aspak si qëllim për të ofenduar deputeten demokrate Jorida Tabaku. Rama theksoi se metafora ishte përdorur me idenë për të treguar mënyrën e pasaktë të raportimit të shifrave për ekonominë nga kreu i opozitës, Lulzim Basha.
Gjatë fjalës së tij nga foltorja e Kuvendit, Rama u ndal edhe tek një episod që ka pasur kohë më parë me deputetin Eduart Paloka, gjatë një përballje në gjykatë.
Rama tha se kur Paloka ishte në gjykatë, në pushim erdhi pranë tij duke i thënë se ai flet në emër të partisë.
“Unë jam këtu në gjyq kot, pasi nuk kam lidhje me këto që kam thënë. Unë i besoj partisë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se është krenar për faktin se që nga koha kur populli mori zë, duke iu referuar fillimit të pluralizmit politik, është i vetmi kryeministër që ka kërkuar ndjesë.
“Jam i vetmi kryeministër që kam kërkuar ndjesë, jo vetëm një herë, por dy deri në tre raste”, tha Rama.
Ai tha se nuk do të ndjehej i fyer, madje do të ishte krenar, nëse për këtë episod të kishte vend për të kërkuar falje.
“Ju mund ta baltosni sa herë të doni këtë foltore të Kuvendit të Shqipërisë. Ju mund të tregoni me gisht pas shpinës time dhe mund të etiketoni secilin prej tyre me fjalët më të ulëta, duke legalizuar këtu fjalët hajdut dhe kriminel. Do ndjehesha shumë i kënaqur nëse një ditë do të hapeshin arkivat e këtij Kuvendi dhe studiuesit nuk do të kishin rastin të gjejnë qoftë një moment që unë mund të kem emërtuar dikë si kriminel dhe hajdut”, tha Rama.
Kryeministri tha se nuk e ul dot veten në atë nivel ku fjala e fundit e rrugës është bërë kryefjalë e opozitarizmit në Kuvend.
“Kjo është rruga që patjetër e dëmton shumë reputacionin e të gjithëve ne, pasi njerëzit aty jashtë nuk kanë kohë dhe detyrën për të bërë diferencën. Dihet botërisht që pianisti thyen pianon dhe ai që bën përformancën më të mirë, vëmendjen e ka ai që thyen pianon. Duke tërhequr vëmendjen e njerëzve tëek këto fragmente, ju patjetër që damkosni veten si humbësa por edhe dëmtoni gjithë politikën. Nëse nuk e keni mësuar akoma se kjo nuk është rruga për të fyer mendjet dhe zemrat e shqiptarëve që bëhen shumicë, kurrë mos e mësofshi“, tha Rama.