Kryeministri Edi Rama i ka dorëzuar këtë të shtunë çelësat e banesave, banorëve në Vaqarr.
‘U dorëzohet blloku i parë i rezidencial, familjeve që humbën strehën në tërmetin e 26 Nëntorit. Programi i Rindërtimit po e kthen sfidën e tërmetit nga një fatkeqësi në kthesë transformimi e zonave të prekura më fort’, shprehet Rama.
Rama paralajmëroi se së shpejti do të hyjnë në shtëpi familjet që janë në pritje në Ndroq e Zall Herr. ‘Së shpejti do të hyjnë në shtëpi ata që janë në pritje në Ndroq, Zall Herr, 5 Maji. Kjo e fundit do të jetë lagja më shembullore e Tiranës, pasi gjithçka po rindërtohet nga e para. Në Fushë Krujë, në Thumanë, Laç ku është ndërtuar një lagje e madhe. Laç po bëhet një qytet nga fillimi. Në Lezhë, në Kavajë apo deri në Mirditë ka lagje që janë drejt përfundimit’, tha më tej kryeministri.
Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se në këto dy vite vendi u përball me dy sfida të vështira ajo e tërmetit dhe pandemisë. Gjithashtu ai theksoi se ishin të gjitha mundësitë që shtëpitë individuale të realizoheshin më herët, por për shkak të pandemisë u shkaktua pezullimi i shumë projekteve.