Nga Pajtim Bello/ Në konferencën e shtypit të fundit ish kryemnistri zbuloi cepin e misionit themelor të firmëtarëve, formularët e të cilëve janë ndryrë në kasafortën e Edi Palokës. Pasi konsumoi disa kritika limontos ndaj Lulzim Bashës, ish kryeministri tregoi kush është më pranë shënjestrës së vërtetë. Pak a shumë lëshoi kushtrimin: Ti biem Edi Ramës!. Që në nisje të foltores shëtitëse kam paralajmëruar se ky aksion synonte kompaktësimin e një kontingjenti mbështetësish të gatshëm për tu flijuar ndaj ish kryetarit.
Nëse qëllimi do të ishte largimi i Lulzim Bashës këtë Saliu e realizonte me një fishkëllimë apo me një aksion të tipit të tij; i vishte gunën e statutit të PD dhe “dëshirën e shprehu” jo nga 4200 por nga 42000 firmëtarë! Mbaronte aktin, kryente puçin dhe të tjerat i sistemonte në rrugë e sipër. Lulzimi ishte karremi që u hodh për të peshkuar Edi Ramën. Por edhe Edi Rama do të shërbente si një karrem për peshkun e madh që do të ishte ambasadorja Yuri Kim. Petë pas pete shkohet në zemrën e lakrorit.
Nuk ka më vend që në PD të flitet me doreza apo të luhet me maska. Kryetari i Këshillit të PD shprehu se janë dy palë që reciprokisht na paskan humbur besimin. Gjysma e së vërtetës: Janë dy palë, ndarë jo prej humbjes së besimit. As njëra palë nuk është manipuluar nga Edi Rama etj.. përralla që artikulohen lartë e poshtë. Të zhvishen dorezat, të flaken maskat. Është më se e qartë se në PD janë konfiguruar dy palë. Ka një Palë Antiamerikane, flamurin e së cilës e valëvit Sali Berisha, që lufton me mish e me shpirt të shporrej SHBA nga territori i Shqipërisë, kupto edhe nga rajoni.
Është edhe një palë pro-amerikane që po përplaset me kontgjentin antiamerikan të firmëtarëve. Pra palët janë konfiguruar politikisht dhe gjeostrategjikisht. Gjithëseicili e zgjedh vetë rrugën, përkatësinë politike dhe gjeostrategjike. Por nuk ka përse të fshihet mes parrullave bajate si të ruajmë autonominë, të luftojmë pengmarrjen politike, të shporrim tradhtarët nga Partia, të shpëtojmë demokracinë etj..
Së fundmi Lulzim Basha deklaron se duan të rreshtojnë PD kundër SHBA, e thënë vonë por prapë mirë. Demokratëve iu duhet thënë e vërteta në sy. Rreth Lulzim Bashës janë një grup demokratësh të rinj me orientim properëndimor, kurse rreth Sali Berishës karrige thyerit e nginjur me pushtet dhe me orientim anti-perëndimor e sidomos antiamerikan.
Rrethi i ngushtë i ish kryeministrit ka mashtruar jo pak anëtarë të PD. Këtyre iu duhet hequr prej syve fasha e mashtrimi. Këta duhen shpëtuar. Nuk duhet lejuar që këta të gënjyer të dalin në sheshe ku veç bombave molotov do të grisen e digjen flamuj të SHBA dhe NATO. Sepse të betuarit antiamerikanë do ta shpien lëvizjen “paqësore” deri në këtë pikë. Aq sa do të shfryjnë dufin e vet antiamerikan duket se kanë për të përmbushur edhe një mision të posaçëm: SHBA dhe NATO jashtë nga Shqipëria! Duket se kanë gabuar rëndë në llogaritë e tyre. Gjithçka do t’iu kthehet kundër.
Nga kasafortës e Palokës do të rrjedhin formularët, brenda sajë do të mbeten vetëm formularët e oficerëve të misionit!. Për ditët e mbetura deri në 11 dhjetor nuk do ti ngajë ora orës dhe ngjarjet do të rrokullisen në favor të orientimit perëndimor. Tashmë askush nuk mund të armiqësojë shqiptarët me SHBA. Këtë mision të pamundur e kanë marrë përsipër disa të marrë. Largohuni prej tyre. Nëse ora e dështimit të misionit antiamerikan iu zë brenda kasafortës të Edi Palokës historia do t’iu rezervojë faqet e turpit kombëtar.