Nga Vora e cila është një nga bashkitë që nuk ka një kryetar, Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës Erion Veliaj tha se kjo forcë është gati për të ndezur motorët elektoralë.
“Ne morëm vendimin e drejtë nga Gjykata Kushtetuese dhe Komisioni i Venecias që zgjedhjet vlenin. Kështu që ne po përgatitemi për zgjedhje në Rrogozhinë dhe në Vorë, ku do të fitojmë më thellë seç fituam në datën 25 prill, se po të shikosh ata që kishim përballë s’janë dukur më. LSI-ja e ka mbyllur komplet qepenin, ai dyqan nuk shet më, është komplet për likuidim. Ndërsa ata të tjerët janë cirku në fshat me foltoren”.
Në takimin me socialistët e Vorës, Veliaj ka komentuar edhe zhvillimet në Partinë Demokratike.
“Shikoni ata që kishim ne përballë. Janë duke u zënë me foltoret, cirku që shkon fshat më fshat. “Çfarë do ndodhë me Saliun dhe çfarë do ndodhë me Lulin?!” U provua ajo që ne thonim në fushatë, – këta nuk e kanë mendjen tek hallet e njerëzve, këta e kanë mendjen ku janë vetë. Fakti që ata janë duke u marrë me hallet e tyre, do të thotë që për popullin s’u ra kurrë në mend. Iu duheshin votat vetëm për atë moment, pastaj pas 25 prillit nuk janë dukur më se e kanë mendjen tek foltorja”.
Partia Socialiste i ka kërkuar presidentit të Republikës që pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për lokalet e 30 Qershorit 2019 të dekretojë zgjedhjet e pjesshme, vendore në 6 bashkitë pa kryetarë.