Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pasi ka votuar, ka thënë se detyrimi qytetar për kontribuuar në demokracinë e vendit tonë nuk ka përfunduar më 17 tetor.
‘Sot është ditë po aq e rëndësishme, e cila përcakton fatin e komunave ku gjithsecili prej jush dhe prej nesh jeton, prandaj është shumë me rëndësi që qytetarët t’i përgjigjen këtij detyrimi në mënyrë që nesër të kenë më shumë të drejta dhe kualitet më të madh të jetës në komunat ku ata jetojnë’, ka thënë presidentja Osmani.
Qytetarët e Kosovës sot po votojnë për të zgjedhur kryetarët e 21 komunave, përfshirë edhe atë të kryeqytetit, Prishtinës. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 11 kanë votuar 7,13 për qind e votuesve.