Ministria e Drejtësisë kallëzon në SPAK një gjyqtare të shkarkuar dy muaj më parë nga vettingu. Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja e cilësoi rast skandaloz, të turpshëm të abuzimit me detyrën e lartë të gjykatësit, çështjen e gjyqtares, e cila sipas tij ka bllokuar një investim madhor me vendimmarrjen e saj. Bëhet fjalë për gjyqtaren Klorinda Çela, e cila u shkarkuar javën e fundit të tetorit nga KPK.

“Jam sot këtu për të bërë publik një kallëzim që sot do ta depozitojmë në SPAK për një vendimmarrje të një gjykatëseje të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke penguar një investim madhor.

Rast skandaloz, i turpshëm i abuzimit me detyrën e lartë. Gjykatësja K.Ç. gjykatëse e gjykatës civile, ka lënë peng fëmijët duke bllokuar punën për Qendrën Kombëtare të Fëmijëve. Kur sapo ministria bëhet gati të nisë punën, prona e shtetit na del me barrë”, tha Manja.

Njësia Antikorrupsion e Ministrit të Drejtësisë dhe Avokatura e Shtetit, i kërkojnë SPAK-ut marrjen si të pandehur të gjykatëses Klorinda Çela, e cila sipas tyre ka dhënë një nga vendimet më flagrante haptazi të paligjshme në kundërshtim skandaloz me interesin publik, pak ditë përpara se sa Vetingu ta largonte nga sistemi i drejtësisë.