Akset rrugore në të gjithë vendin janë të hapur për qarkullimin e automjeteve, pavarësisht situatës së vështirë të motit.

Në terren për monitorimin e situatës dhe për të ndërhyrë në të gjitha zonat ku janë evidentuar problematika ndodhen punonjës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, si dhe të kompanive të mirëmbajtjes së rrugëve.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, ishin në zonën e Dardhës të qarkut Korçë për të inspektuar masat e marra dhe punën që po bëhet për të garantuar qarkullimin normal të automjeteve.

“Kemi 41 kontrata të mirëmbajtjes, të cilat mbulojnë 3650 kilometra rrugë. Katër kontrata janë në vazhdimësi, pasi mbulohen me Bankën Botërore. Janë kryesisht akset nacionale me fluksin më të madh të lëvizjes. Ndërkohë që kemi edhe 37 kontrata të shpërndara të tre rajone. Janë në gadishmëri mbi 180 mjete që mbulojnë këto segmente dhe që bëjnë mirëmbajtjen, si dhe më shumë se 200 punëtorë në terren, të shpërndarë në grupe, grupet e monitorimit, pastrimit dhe manovruesit e mjeteve të rënda. Janë marrë masa edhe për depozitimin e kripës pasi kemi depozituar mbi 3600 ton kripë”, bëri të ditur Berberi duke ju referuar planit të masave për menaxhimin e sezonit dimëror.

Për Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë deri më tani situata është menaxhuar si duhet duke bërë që të gjitha akset rrugore të jenë të hapura për qarkullimin e automjeteve. Ajo kërkoi mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve për të respektuar dhe bindur udhëzimeve të Policisë Rrugore dhe ARRSH-së gjatë udhëtimit të tyre.

“Pavarësisht mirëmbajtjes që ne bëjmë, e cila është konstante dhe gjatë këtij viti, deri më tani nuk kemi pasur asnjë eksperiencë të rrugëve të bllokuara. Grupi i emergjencave në ARRSH funksionon totalisht. Jemi të gjithë në kontakt me njëri-tjetrin, bëjmë raporte të përditshme për të kontrolluar të gjitha zonat, por nga ana tjetër duhet thënë që duhet padyshim kujdes nga të gjithë drejtuesit e automjeteve dhe çfarë është më e rëndësishme duhet që patjetër të përmbushin kushtet, gomat e dimrit, zinxhirët në të gjitha ato zona ku kërkohen. Po ashtu duhen respektuar të gjitha thirrjet e Policisë Rrugore dhe ARRSH-së për kushtet e motit në zona të ndryshme të Shqipërisë”, deklaroi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se për të garantuar një qarkullim sa më të sigurt për drejtuesit e automjeteve po punohet edhe gjatë orëve të natës, teksa kërkoi që të gjitha strukturat të jenë në gatishmëri për çdo situatë që mund të evidentohet.
“Presim në ditët në vazhdim të kemi reshje të dendura si dëbore ashtu dhe shiu, kështu që të gjitha grupet e ARRSH-së duhet të jenë gati për ta përballuar këtë proces sa më mirë, pa ndërprerje të qarkullimit në të gjitha akset e territorit”, u shpreh Balluku.
Kujdes në qarkullim kërkohet jo vetëm në zonat ku ka pasur reshje dëbore, por edhe në ato zona ku reshjet e shiut kanë qenë me intensitet të lartë. Edhe në këto zona është ndërhyrë për pastrimin e rrugës duke mos evidentuar problematika.