Sot besimtarët e krishterë në Shqipëri dhe në të gjithë botën festojnë Krishtlindjen. Ky është viti i dytë radhazi i festuar ndryshe për shkak të situatës dhe kufizimeve të marra kundër COVID 19. Kishat e Krishtera në vendin tonë e kremtojnë në orare të ndryshme meshën me rastin e ‘Lindjes së Krishtit’.

Këtë mëngjes do të mbahet mesha e besimtarëve ortodoksë në katedralen “Ngjallja e Krishtit”. Meshën e mban kryepeshkopi Anastas Janullatos.

Ndërkohë që mbrëmë në Katedralen e ‘Shën Palit’ Imzot George Frendo ka mbajtur meshën e tij të fundit si Arqipeshkv, e ndërsa përcolli edhe mesazhe për më shumë dashuri dhe paqe mes njerëzve. Krah tij, qëndronte edhe drejtuesi i ri, Arjan Dodaj.

Mesazhe paqeje kanë dhënë dje edhe krerët e besimeve fetare dhe po ashtu edhe politikanët. Kryepeshkopi Anastas Janullatos, teksa uron besimtarët shkruan se dhurata më e bukur në këtë ditë është forcimi i besimit në Zot.

Një mesazh dha sot nga Shkodra edhe Imzot Angelo Massafra, kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit e Presidenti i Konferencës, i cili uri besimtarët. Presidenti Ilir Meta bën thirrje për solidaritet dhe kujdes ndaj atyre që kanë nevojë për përkrahje. Në këtë datë të veçantë për besimtarët e krishterë, kryeparlamentarja Lindita Nikolla tha se kjo është një ditë kur gëzimi mund hidhërimin dhe shpresa fiton mbi vështirësitë.