Kryeministri Edi Rama ishte sot në eventin e dorëzimit të 120 apartamenteve dhe 124 njësive individuale për banorët e Fushë-Krujës, shtëpitë e të cilëve u shkatërruan plotësisht nga tërmeti famëkeq i dy viteve më parë. Kryeministri tha se:“Në radhë të parë dua t’ju them se këto janë ato momente që të bëjnë t’i bësh hallall të gjitha mundimet dhe ato që je i detyruar të mbash në kurriz kur ke nderin të beësh këtë detyrë, gjithë atë baltë, llafe, thashetheme që nuk kanë munguar në këtë proces. Jam krenar që ia kemi dal deri këtu, t’i qëndrojmë pranë 50 mijë familjeve, që nga ato që kanë pasur mbështetje minimale për një riparim të thjeshtë, deri tek ato që marrin shtëpi të reja, të cilat do i marrin falas, pa paguar asnjë qindarkë dhe me të tillë dokument pronësie njësoj si ata që i blejnë apartamentet e këtyre standardeve në Tiranë.”

“Në fillim keni dëgjuar se asgjë nuk do bëhet, se u mblodhën lekët e botës dhe u futën në një thes dhe u çuan në Surrel, pastaj dëgjuat se nuk ka mundësi të bëhet falas sepse falas nuk i ben askush dhe kjo është e vërtetë. Nuk kemi gjetur asnjë program rindërtimi, edhe në vende të fuqishme që nuk janë me kredi, edhe pse e butë. Si mund t’i ngarkonim ne një pjesë të madhe të këtyre familjeve, të cilat janë më keq se të tjerat sepse janë familje më të varfëra. E pamundur ta bënim këtë gjë” shtoi ai. Lagjja e re e ringritur nga e para përfshin çerdhe, kopsht, qendër shëndetësore, shërbime administrative dhe një treg të madh për produktet e zonës, të gjitha të organizuara sipas një plani zhvillimi. Qeveria është përpjekur që të gjurmojë një zonë me një perspektivë për zhvillim në Fushë-Krujë, e cila përveç qëllimit kryesor të strehimit të banorëve të prekur nga tërmeti, do t’i jap edhe një frymëmarrje e gjallëri qytetit. Kështu, hapësira e përzgjedhur gjendet 1 km larg nga qendra e qytetit të Fushë-Krujës, duke u projektuar si “një qytezë e të ardhmes”, nën udhëheqjen e arkitektes së famshme holandeze Francine Houben. Në këtë hapësirë prej dhjetë hektarësh, do të strehohen familjet që pësuan shembje totale të banesave, ndërkohë që ato me dëme të niveleve DS1-DS3 kanë marrë kompesim financiar për t’i bërë vetë riparimet. Ka hapur dyert për të mirëpritur krutanet e vegjël, shkolla nëntëvjeçare e kopshti “Korb Muça” dhe “Hajdar Hoxha“ në Larushk.
Shkolla dhe kopshti “Korb Muça”, u ndërtuan nga programi EU4Schools, i financuar nga Komisioni Europian, sipas standardeve të BE me palestër, fushë sportive dhe eficiencë energjetike. Qeveria shqiptare e ka pasur përherë nën fokus Fushë-Krujën, andaj dhe procesi i rindërtimit nuk është investimi i vetëm që është bërë në këtë njësi administrative. Tashmë, që prej vitit të kaluar rreth 40 mijë banorë në zonën e Fushë-Krujës dhe fshatrat përreth përfitojnë cilësi më të mirë të furnizimit me energji elektrike, në sajë të investimit që OSHEE ka bërë në rrjetin e ri elektrik.
Gjithashtu me rehabilitimin e lumit dhe ndërtimin e urës janë evituar 100% përmbytjet në qytet, çka mundësoi që hyrje-dalja e Fushë-Krujës, bashkë me qindra banesa e familje, të mos përmbyten më 3 herë në vit si më parë.
Brenda pranëverës së vitit të ardhshëm pritet të përfundojë tërësisht procesi i rindërtimit dhe të gjitha këto zona të reja të rilindura do të jenë, tanimë, lagje model të pajisura me infrastrukturë moderne dhe shërbime pranë banesave.