Shifrat e të vaksinuarve në radhët e të rinjve në vendin tonë janë të ulëta, ndërkohë që marrja e dozave anti Covid është e rëndësishme për imunizimin e popullsisë dhe përballimin e mutacioneve të koronavirusit.
Ndonëse nuk ka të dhëna për fatalitet nga Omicron ai bëhet shqetësues nëse në popullatë qarkullojnë dy mutacione paralelisht pasi mund të bëjë të lind një tjetër mutacion me sjellje më shqetësuese.
Ditët e fundit në vendin tonë ka pasur humbje jete në mosha të reja. Mjeke nga spitalet Covid thonë se pjesa më e madhe e pacienteve janë të pavaksinuar dhe ata manifestojnë simptoma më të rënda. Sipas studimeve risku për humbje jete tek një person i pavaksinuar është 16 herë më shumë se sa tek një person i vaksinuar.
Kryeministri Edi Rama ka postuar këtë mëngjes një video sensibilizuese në rrjetin e tij social “Facebook”, ku të rinjtë apelojnë për vaksinimin e bashkëmoshatarëve të tyre.
“Dua të ndihem sërish e sigurt. Të jetoj i lirë. Pa kufizime! Dua të festoj me familje. Unë zgjedh të vaksinohem. Mbroj veten, miqtë dhe familjen”, janë disa nga mesazhet e të rinjve.
“Me këtë ftesë të të rinjve për bashkëmoshatarët e tyre, që t’i besojnë shkencës e t’u drejtohen pikave të vaksinimit, si e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten, familjen dhe të tjerët nga virusi i rrezikshëm, i cili merr përditë jetë njerëzore, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan kryeministri krahas videos.