Agjencia Europiane e Barnave (EMA) ka miratuar zyrtarisht vaksinën e pestë kundër pandemisë së koronavirusit, pas atyre të prodhuara nga Pfizer, Johnson & Johnson, Moderna dhe Asta Zeneca.
Bëhet fjalë për vaksinën Nuvaxocid, e prodhuar nga ndërmarrja amerikane Novavax. Bashkimi Europian ka porositur paraprakisht 200 milionë doza të kësaj vaksine që ka një përbërje deri diku tradicionale, pra jo të bazuar në ARN, duke kombinuar disa proteina, ashti siç ndodh në vaksinën për hepatitin B.
Vaksina e re injektohet në dy doza, me distancë tre javore njëra nga tjetra. Sipas autoriteteve të EMA, studimet kanë treguar se Novavax ka një efikacitet me rreth 90%, edhe pse ata kanë specifikuar se të dhënat i referohen varianteve Alpha dhe Delta, ndërkohë që ende nuk ka të dhëna të sakta për variantet e fundit, si ajo agresive me emrin omicron.
Nga studimet, një nga benefitet e vaksinës amerikane janë edhe efektet anësore të pakta, që janë zhdukur të gjithë në dy ditë.