2 ditë para se Sali Berisha të mbledhë në stadium mbështetësit e tij për Kuvendin e PD-së, të thirrur prej tij, do të mbërrijë në Tiranë i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Përveç Kryeministrit dhe ministres së Jashtme ai do të takojë në kryeqytet edhe kryetarin e opozitës Lulzim Basha.
Ambasada e SHBA ka postuar para pak minutave në Facebook se Escobar vjen në Tiranë edhe për të kon firmuar gjithashtu vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.
Edhe korrupsioni, edhe minimi i demokracisë ishin argumentet kryesore të Sekretarit të Shtetit në SHBA Blinken në shpalljen ‘non grata’ të Sali Berishës më 19 maj të ëktij vitit. Duket si një mesazh i drejtëpërdrejtë ndaj Berishës nga ambasada e SHBA në këtë javë vendimtare të luftës së tij, jo vetëm kundër Lulzim Bashës por edhe vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Më 9 dhjetor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar do të zhvillojë vizitën e tij të parë në Shqipëri, me qëllimin për të thelluar miqësinë tonë të ngushtë, e mbështetur në vlerat e përbashkëta demokratike.
Escobar do të takohet me Kryeministrin Rama, Ministren e Jashtme Xhaçka, Kryetarin e Partisë Demokratike Basha dhe udhëheqës të tjerë për të rikonfirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për demokracinë e Shqipërisë, integrimin në BE, bashkëpunim më të fortë në mbrojtje dhe mundësi për tregti e investime. Ashtu siç shkruhet në Urdhrat Ekzekutivë të Presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu edhe mbi vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.