Nëse qeveria bullgare bën lëshime ndaj Maqedonisë së Veriut dhe i dorëzon në Parlament, ne jemi të gatshëm t’i mbështesim, deklaroi ish-kryeministri bullgar dhe lider i partisë më të madhe opozitare në Sofje, Bojko Borisov në një intervistë.

I pyetur nëse plani i propozuar nga kryeministri i ri bullgar, Kirill Petkov për formimin e grupit të punës për dialog do të funksiononte, Borisov theksoi se mundet vetëm t’i dëshirojë sukses dhe nëse i duhet mbështetje, do t’ia japë. Sipas Borisovit, Shkupit i është thënë se i ka dy-tri tema që duhet të zgjidhen, pakicat, të ndryshojë Kushtetuta, të qartësohet historia dhe më pas të vazhdojë më tej.

Bullgaria në asnjë rast nuk e ka ndaluar Maqedoninë e Veriut, pohon Borisov, duke shtuar se nuk është e mundur të hyhet në BE dhe të mbarten probleme me vete, prandaj Sofja vetëm i ka ngadalësuar Shkupin dhe Tiranën. Jo vetëm Shkupi, por edhe Tirana është me sytë nga Sofja, pasi vetoja e Bullgarisë për Maqedoninë ka bllokuar edhe Shqipërinë.