Ambasada amerikane në Tiranë solli sot një pjesë nga mesazhi i ambasadorit të parë amerikan në Tiranë, William Ryerson, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me SHBA-në. Ryerson, në një mesazh me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve me Shqipërinë thekson se “i kam ndjekur zhvillimet në Shqipëri prej daljes sime në pension dhe nga sa shoh, vazhdoj të jem i bindur se Shqipëria është në rrugën e duhur”.

“Ekipi i parë i përfaqësuesve të SHBA mbërriti në Tiranë përpara zgjedhjeve të para pluraliste, në mars 1991. Unë mbërrita në fund të prillit, me qëllimin për të qëndruar një apo dy muaj, derisa stafi i përhershëm i ambasadës të zgjidhej dhe të caktohej”, shprehet Ryerson.

Ish-ambasadori Ryerson thekson se “pati shumë ndryshime në Shqipëri gjatë tre viteve e gjysmë të mia aty, pjesa më e madhe e të cilave, por jo të gjitha ishin për mirë. Katërqind vjet pushtim i huaj dhe gjysmë shekulli vetëizolim duan shumë punë për t’u zhbërë. Demokracitë përfshirë dhe tonën, janë gjithnjë punë në zhvillim e sipër. Nuk pati kurrë asnjë dyshim se të dyja vendet tona ndanin të njëjtat shpresa për një Shqipëri të lirë dhe të përparuar, në paqe me fqinjët e saj”.

“Pengesa është e pashmangshme që të ndodhin, por jam i sigurtë se falë bashkëpunimit tonë të vazhdueshëm e reciprok ato do të kapërcehen. Uroj suksese të mëtejshme në rrugën e vështirë të demokracisë”, thotë Ryerson.

30 vite më patë më 21 dhjetor 1991, William E. Ryerson paraqiti kredencialet si ambasadori i parë i SHBA në Shqipërinë, rishtazi demokratike.