Ashtu siç ka paralajmëruar më herët Presidenti i vendit, Ilir Meta, bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi ka njoftuar mbrëmjen e sotme se Ilir Meta së shpejti rikthehet në krye të LSI-së.
E ftuar në A2, Monika Kryemadhi konfirmoi se Ilir Meta do të rikthehet në krye të partisë që krijoi në vitin 2004, pasi u shkëput nga Partia Socialiste.
“Ai që krijoi LSI-në së shpejti rikthehet në partinë që krijoi. Meta mezi pret qe te vije, i mungon i mungon miqesia juaj”, u shpreh Kryemadhi.
Rikujtojmë se ndonëse është partia e tretë në vend për nga madhësia, LSI ka luajtuar rol të rëndësishëm në situatën politike të vendit tonë. Në vitin 2009, LSI u fut në koalicion me ish-Kryeministrin Sali Berisha, por në vitin 2013, Ilir Meta vendosi të pranonte ofertën qeverisëse të Edi Ramës.
Më pas në vitin 2017, LSI doli nga koalicioni me Ramën, ndërsa në vitin 2021, LSI hyri në garë si koalicion me PD-në, por dihej marrëdhënie krisur me Lulzim Bashën, gjë e cila u zyrtarizua pas zgjedhjeve.
Në vitin 2017, Ilir Meta vendosi të lërë drejtimin e LSI-së për t’u bërë President i vendit. LSI e mori përkohësisht në dorë Petrit Vasili, por në zgjedhjet për kryetar, Monika Kryemadhi ishte ajo që triumfoi. Meta ka deklaruar më herët se në korrik 2022 do të rikthehet në LSI.